Sektori i shëndetësisë në Shqipëri e në Ballkan po vihet në rrezik nga mungesa e stafeve dhe kryesisht mjekëve pasi një pjesë e madhe e tyre po emigron. Një studim i fundit gjerman mbi emigrimin në vendet e Ballkanit Perëndimor evidentoi se afërsisht 30% stafit shëndetësor nga Shqipëria ka shkuar në Gjermani deri në vitin 2023. Bosnja e Kosova janë edhe më të prekura sipas studimit.
Në vitin 2023, numri i shtetasve nga Kosova që punojnë në sistemin gjerman të kujdesit shëndetësor ishte i barabartë me 50.3% të fuqisë punëtore vendase të kujdesit shëndetësor. Shifrat përkatëse ishin 42.5% për Bosnjën dhe Hercegovinën, për Maqedoninë e Veriut 9 %, Malin e Zi 13.9 % dhe për Serbinë 7.2%.
Midis viteve 2015 e 2024, punësimi i shtetasve të Ballkanit Perëndimor në sektorin e shëndetësisë në Gjermani u rrit mesatarisht me 27.2% në vit, ndërsa për Shqipërinë rritja është me 17% çdo vit.
Gjatë kësaj periudhe presionet e emigracionit mbi sektorin e kujdesit shëndetësor në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë rritur.
Parashikimet e Kombeve të Bashkuara tregojnë se popullsia mbi 75 vjeç e lart pritet të rritet ndjeshëm në rajon, ndërsa popullsia në moshë pune, të bjerë. Këto zhvillime do të rrisin kërkesën për kujdes shëndetësor në Ballkan dhe në Shqipëri.
Sistemet e kujdesit shëndetësor në Ballkanin Perëndimor po tregojnë shenja të tendosjes. Kjo u ilustrua gjatë pandemisë COVID-19 ku të gjitha vendet e Ballkanit regjistruan shkallë vdekshmërie mbi mesataren globale.
Një tjetër tregues i tendosjes sistemike të sistemeve shëndetësorë është numri i ulët i mjekëve në krahasim me vendet e Europës Perëndimore.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (2024), Shqipëria ka më pak mjekë për frymë në Europë. Në Maqedoninë e Veriut, numri i mjekëve për frymë madje ka rënë, pjesërisht për shkak të emigrimit të mjekëve jashtë vendit.
Studimi gjerman vë në dukje se emigrimi i punonjësve të kujdesit shëndetësor përkeqëson drejtpërdrejt ngarkesën, pasi mungesat përkthehen në kohë më të gjata pritjeje, mungesë shërbimi në zonat rurale dhe ngarkesë më e madhe pune për mjeket e mbetur./Monitor