Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron përcollën një mesazh të fortë uniteti në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, gjatë takimit të përbashkët të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, të zhvilluar në Këln.
Merz njoftoi se Gjermania do të marrë pjesë për herë të parë, që këtë vit, në një stërvitje bërthamore të forcave të armatosura franceze.
“Gjermania dhe Franca po thellojnë bashkëpunimin e tyre në mbrojtje. Ne po forcojmë parandalimin evropian. Duke filluar nga ky vit, do të marrim pjesë në një stërvitje bërthamore me forcat e armatosura franceze”, deklaroi kancelari gjerman.
Në bazën ajrore Nörvenich, pranë Këlnit, Merz dhe Macron riafirmuan angazhimin për t’i dhënë një shtysë të re partneritetit franko-gjerman, një muaj pas dështimit të programit të avionit luftarak SCAF, i cili u bllokua për shkak të mosmarrëveshjeve industriale mes kompanive Airbus dhe Dassault.
Dy liderët zhvilluan një mbledhje të përbashkët të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, e cila, sipas deklaratës së tyre të përbashkët, shënon “hapin e parë operacional” të një faze të re bashkëpunimi.
Pas dështimit të projektit SCAF, Franca dhe Gjermania ranë dakord të punojnë për krijimin e një standardi të përbashkët që do të garantojë ndërveprimin mes sistemeve të luftimit ajror, nga dronët deri te avionët luftarakë.
Presidenti Macron tha se Parisi dhe Berlini kanë “nxjerrë mësime” nga dështimi i projektit dhe kanë vendosur të përqendrohen në iniciativa më të targetuara, duke theksuar se suksesi i tyre kërkon bashkëpunim të ngushtë mes udhëheqjes politike dhe industrisë së mbrojtjes.
Për të nënvizuar marrëdhëniet e ngushta mes dy liderëve, Friedrich Merz publikoi në rrjetet sociale disa fotografi nga takimi me Emmanuel Macron. Në një prej tyre, të dy shihen duke biseduar në një avion.
“Faleminderit për miqësinë tënde, Emmanuel Macron”, shkroi Merz në postimin e tij.