Aktualitet

Sherr për çadrat dhe shezlongët në Vlorë, qëllohet në ajër me armë zjarri

Të shtëna me armë zjarri në zonën e ujit të ftohtë në Vlorë. Nga të dhënat paraprake mësohet se janë konfliktuar dy persona për çështjen e hapësirës së shezlongëve. Autori që qëlloi në ajër është larguar pas ngjarjes ndërkohë që fatmirësisht nga sherri nuk pati persona të lënduar.

Forca të shumta të policisë kanë mbërritur në zonën ku u evidentuan të shtënat. Janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për kapjen e autorit i cili është identifikuar nga Policia menjëherë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë në konflikt.

Pas ngjarjes autoritetet në Vlorë kanë njoftuar se autori ka qëlluar për një sherr të çastit me armë zjarri në Ujin e Ftohtë në Vlorë.

Policia njofton se është shoqëruar një person i cili ende nuk dihet nëse është autori, i konfliktuari tjetër apo dëshmitar.

Situata të ngjashme janë konstatuar dhe në plazhe të tjera të vendit.

Një sherr i nisur për shezlongët në plazhin e Zonën e Kune Vainit ka degjeneruar deri në dhunë fizike.

Për pasojë një person ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për mjekim në spitalin e Lezhës.