Shkarkimi i Erion Veliajt nga detyra e kryebashkiakut pritet të finalizohet sot nga Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e orës 12:00 e që mbahet një ditë pasi Prefekti i Tiranës njoftoi zyrtarisht për propozimin e miratuar nga Këshilli Bashkiak. Sipas ligjit, është ekzekutivi që merr vendimin përfundimtar në këtë proces.
Kërkesën e këshilltarëve socialistë për shkarkimin e Veliajt, Këshilli Bashkiak e bashkoi në një të vetme me të PD-së dhe Endri Shabanit, duke e miratuar me 50 vota pro pasditen e të martës. Erion Veliaj e ka kundërshtuar procedurën e ndjekur, duke lënë të kuptohet se mund ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese. Neni 115 i Kushtetutës parashikon se nëse bëhet ankim brenda 15 ditësh, vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet. Ky akt do të bllokonte zhvillimin e zgjedhjeve në Tiranë.
Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama mbajti një takim me ministra dhe deputetë të qarkut Tiranë, përkrah kandidates për kryebashkiake Ogerta Manastirliu, Rama e konsideroi vendimin për shkarkimin e Veliajt si të detyrueshëm. Kryeministri u shpreh se Tirana nuk mund të gdhihet dhe ngryset si “trup pa kokë” dhe qytetarët nuk mund të bashkëjetojnë me një “bashki kokëkëputur”, duke shtuar se opozita do të hyjë e humbur në garën për kryeqytetin.
Po dje, Rama zhvilloi një takim mbi dy orësh në Kryeministri me nënkryetarët e Bashkisë Tiranë, kryetaren e komanduar Anuela Ristani, si dhe me Ogerta Manastirliun.
Veliaj është në arrest në burg që prej 10 shkurtit. SPAK-u e ka mbyllur dosjen në ngarkim të tij dhe e ka dërguar në gjyq, me 13 akuza, mes tyre korrupsion në 9 raste. Veliaj ka drejtuar bashkinë e Tiranës prej 10 vitesh, në dy mandate e gjysmë, që prej vitit 2015.