Aktualitet

Këshilli i Ministrave shkarkon Erion Veliajn!

Erion Veliaj është shkarkuar nga posti i kreut të Bashkisë Tiranë edhe nga Këshilli i Ministrave. Mbledhja e qeverisë për të shqyrtuar shkarkimin e Veliajt u mbajt ditën e sotme, prej orës 12:00. Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës.

Ndërkaq, Belinda Balluku do të drejtojë fushatën elektorale në Tiranë. Kryeministri Edi Rama i njoftoi dje deputetët në selinë e Partisë Socialiste. Më herët këtë muaj, Balluku u rikonfirmua si zv/kryeministre dhe gjithashtu në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në kabinetin e ri qeveritar.

Ndërkaq, PS-ja ka përzgjedhur ish-ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, si kandidate për zgjedhjet e pjesshme vendore në Tiranë. Rama u shpreh se ka mbështetje të plotë brenda partisë, si dhe vizionin për të drejtuar kryeqytetin.

Opozita do të hyjë në garë e humbur e do të dalë edhe më e humbur. Qytetarët nuk e kanë mendjen tek rivalët, por te problematikat që kërkojnë zgjidhje, si çështja e ujit të pijshëm.

Në përfundim të takimit, Rama i bëri thirrje strukturave socialiste të Tiranës që të nisin menjëherë përgatitjet për zgjedhjet e reja, duke theksuar se PS është e vendosur të fitojë me kandidaturën e Manastirliut. Nëse zgjedh të bëjë ankimin në Gjykatën Kushtetuese, Veliaj ka 15 ditë kohë për ta bërë këtë.

Dy ditë më parë Këshilli Bashkiak i kryeqytetit, i tha “po” propozimit lidhur me shkarkimin, me një bashkim të votave mes opozitës e maxhorancës. Një ditë pas votimit nga Këshilli Bashkiak, dje kryeministri Rama mblodhi ministrat dhe deputetët socialistë të qarkut Tiranë për të përcaktuar hapat e ardhshëm.

Në fjalën e tij, Rama e përshkroi gjendjen aktuale si një “bashki kokëkëputur”, duke theksuar se Tirana nuk mund të qëndrojë pa një kryetar që drejton punët e qytetit.

Tema jonë si palë e përgjegjshme është një histori drejtësie me shumë pikëpyetje që s’dihet sa do zgjasë, por nuk duhet të marrë peng pafundësisht kryeqytetin. Tirana nuk mund të gdhihet e ngryset si trupë pa kokë, tha shefi i qeverisë.