Tech Top Tech - News

Shkenca nuk po ecën por po vrapon! Nga ujku i zhdukur 12 mijë vite më parë tek Apple ring që ndjen…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Rikthimi i Dire Wolf

E kemi përmendur disa herë Colossal Biosciences – kompaninë që ka bërë premtimin për ta kthyer natyrën në “versionin perfekt” të vetes. Deri tani kemi dëgjuar për përpjekjet për të rikthyer mamuthët, por këtë javë … kanë kaluar në tjetër nivel. Kanë rikthyer ujkun e epokës së akullnajave – Dire Wolf.

Jo, nuk është ndonjë spin-off i “Game of Thrones”. Ky, është një ujk që ka jetuar 10.000 vjet më parë – më i madh, më i fortë dhe ndoshta më i frikshëm se çdo ujk që kemi parë ndonjëherë. Dhe Colossal, me shkencëtarët e tyre që s’kanë frikë as nga natyra, as nga logjika, e kanë risjellë në jetë. Ata nuk menduan thjesht: “hej, le të rikthejmë një bishë prehistorike”. Jo, këtu po flitet për të kuptuar më mirë zhvillimin, për të shpëtuar speciet në rrezik, dhe ndoshta – të krijojmë një balancë të re në ekosistem. A do funksionojë? Nuk e dimë. Por, një gjë është e sigurtë: shkenca nuk po ecën – por po vrapon me 4 putra të mëdha, me dhëmbë të mprehtë dhe emrin Dire Wolf në qafore.

Cybertruck i Tesla-s po has probleme

Cybertruck-u i famshëm – ai katrori i çeliktë që ngjan si të jetë dizenjuar në Minecraft nga një adoleshent – po përballet me një tjetër kapitull thumbues në jetëgjatësinë e tij. Pothuajse të gjitha njësitë e dorëzuara deri tani janë thirrur mbrapsht nga Tesla. Arsyeja? Një kombinim i disa problemeve teknike, ku më kryesorja ishte një ngjitës i papërshtatshëm që mund të shkaktojë ngecjen e pedalit të gazit. Imagjino të jesh në autostradë, të shtypësh pak më shumë dhe… makina vendos të mos të të dëgjojë më.

Po kjo nuk është e vetmja gjë. Ky model ka hasur edhe probleme me cilësinë e elementeve të brendshëm, dhe një sërë difektesh që nuk përputhen me pritshmëritë e fansave të Teslës – të cilët, deri dje, ishin gati të flinin në makinë nga dashuria. Sot? Kanë nisur të kontrollojnë frenat çdo 5 minuta. Cybertruck nuk është thjesht një mjet transporti – është një eksperiment publik me miliona ndjekës. Dhe kur eksperimentet s’ecin siç duhet, ndodh që ngjitësi të jetë i gabuar… por edhe filozofia ndoshta ka nevojë për një rregullim.

IShowSpeed

Nëse nuk e dini kush është IShowSpeed…

Imagjinoni një djalë që bërtet gjithë kohën, bën pompa nga gëzimi, flet me thekse që nuk ekzistojnë dhe ka më shumë fansa se shumë shtete kanë banorë. Quhet Speed, emër që s’të lë të marrësh frymë – dhe është një nga fenomenet më të mëdha të internetit sot për sot. Ka një energji më të fortë se kafeja + TikTok bashkë. Dhe po, Speed kur ishte në Shqipëri… takoi presidentin tonë Edi Rama.

Pra vendi ynë hyri në hartën e botës dixhitale jo për ndonjë samit diplomatik, por sepse një youtuber me fanellë futbolli dhe sy që s’rrijnë në vend erdhi në Tiranë. Po këtu nis tema sotme. Ai shkoi në Kinë, ku fansat e pritën si të ishte Ronaldo dhe një minion bashkë. Vizitoi qytet pas qyteti, qeshi, bërtiti, këndoi me artistë kinezë, bëri kung fu, dhe FLUTUROI ME NJË DRON TAKSI – e para herë që ai ngjitet në ajër pa ndihmën e energjisë së vet. Në çdo qytet, thjesht me humorin e tij absurd dhe energjinë “jashtë kontrollit”, ai theu barrierat mes kulturave. S’ka rëndësi gjuha, vendi apo mosha: Speed ka një gjuhë universale që të bën të qeshësh edhe kur s’e kupton pse.

LifeSize Plans

Po mendon të bësh shtëpinë e ëndrrave të tua? Super. Por prit… si do duket? A e merr dollapin e mamit? A futen dot divanet? Aaaa s’e paske menduar! Mos e ndërto ende! Sepse dikush, diku, me shumë mend dhe pak kokëçarje, tha:

“Po sikur t’ia bëjmë njerëzve shtëpitë në përmasa reale… POR ME PROJEKTOR!”

Dhe lindi LifeSize Plans. Një vend ku ti shkon, i jep planin e shtëpisë, dhe boom – shtëpia projektohet në tokë me përmasa reale, dhe ti ecën brenda në të ardhmen tënde. Po pra, ti ecën mbi dyshemenë e ëndrrave, kontrollon dritaret dhe sheh nëse e zë dollapin. Kjo nuk është më teknologji – është magji në PowerPoint.

Rikthimi i fluturimit supersonik të pasagjerëve

Concorde ka qenë gjithnjë legjenda e qiellit, por fatkeqsisht nuk i kishte vitet e gjata. Shpejtësia? Supersonike. Zhurma? Si avion që ha raketa për mëngjes. Biletat? Vetëm për ata që numërojnë paratë me makinë. Por… për fat të mirë, një kompani që quhet Boom Technology po përgatitet të rikthejë fluturimin supersonik të pasagjerëve. Po pra – avioni që fluturon dyfishin e shpejtësisë së zërit, quhet Overture, dhe premton të të çojë nga New York në Londër për 3 orë e pak… me çokollatë të shkrirë dhe pak turbulencë elegante. Pra s’ka më “ju kërkojmë ndjësë për vonesën”, por “më falni, kemi ardhur përpara orarit që parashikohej të arrinim”.

Tani imagjino: ti porosit kafen në Tiranë, dhe e pi në Manhattan. Po në vend të pyesim “sa kohë zgjat udhëtimi?” do pyesim: “A ka mē kuptim orari i fluturimit?” Disa thonë: kjo është e ardhmja. Të tjerë thonë: “po planeti?”. Boom thotë: “do jetë i qëndrueshëm, miqësor me mjedisin, dhe pak… si në Fast & Furious, por për stratosferën.”

Light Phone III

Light Phone III sapo ka dalë, dhe po, është aq minimalist sa po ta lësh në tavolinë, njerëzit do të pyesin: “ej a është kalkulator, apo është pajisje për diabetin?” Ky telefon është për të gjithë ata që kanë thënë të paktën një herë në jetë:

“Jam lodhur nga telefoni, po më ha jetën.”

Epo, ky telefon S’ka rrjete sociale, s’ka emaile dhe lojëra. Ka vetëm mesazhe, telefonata, kamera, hartë dhe… PAQE MENDORE. Po pse i bëjnë këta telefona? Sepse Gen Z është lodhur. Lodhur nga telefonat që ndriçojnë më fort se dielli. Nga njoftimet që s’të lënë të jetosh. Nga “doomscrolling-u” që fillon me një meme dhe përfundon me teori konspirative për arinjtë polarë.

Light Phone është si të thuash: “S’dua të jem 24/7 online, dua të jem 24/7 OK me veten.”

TikTok në Amerikë dhe Shqipëri

TikTok në Amerikë nuk është mbyllur… ende. Por është vënë përballë zgjedhjes më të vështirë:

OSE ndahet nga ByteDance (kompania kineze që e zotëron), OSE largohet nga tregu amerikan.

Po, ky është “merre ose leje” në versionin ligjor. Dhe ndërkohë që Amazon dhe AppLovin përfliten si blerës të mundshëm (sepse përse jo, ç’janë disa miliarda për një nga applikacionet më të përdorura?) – TikTok vazhdon të funksionojë si zakonisht… për momentin. Po në Shqipëri?

TikTok është si moti në Prill: i çuditshëm, i paparashikueshëm dhe ndonjëherë të zhgënjen. Për disa Me 5G punon, me Wi-Fi… ska shanse, për disa të tjerë e kundërta. Por një gjë është e sigurtë: Të gjithë kanë VPN, dhe e përdorin vetëm për TikTok-un.

Pra,ndërkohë që Amerika diskuton për shpërbërje strategjike globale të të dhënave, shqiptarët thonë:

“Mos ma ndal TikTok-un se më ka ngecur receta e byrekut te ‘For You Page’.”

Risia e Apple Ring

A ishe gati për një Apple Ring? Jo? As une. Por a do ta blesh? 100%. Po pse mos të kemi edhe një unazë smart, në një botë ku edhe furça e dhëmbëve është bërë me Bluetooth? Apple po mendon seriozisht të na lidhë gishtat me teknologjinë. Unaza do matë shëndetin, gjumin, hapat, stresin… ndoshta edhe mendimet?

Kush e di! Çfarë s’ pret nga Apple. Po pse një unazë? Sepse ora është bërë mainstream. Sepse telefoni s’na rri më në xhep, por në dorë. A do të kemi Siri në gisht? Dhe a do të jemi “të fejuar’ me Apple”? Sepse sinqerisht, kjo do të jetë lidhja më e gjatë që kemi pasur ndonjëherë.