Jetëgjatësia në mbarë botën është rritur duke u rikthyer në nivelin e periudhës para pandemisë së koronavirusit. Gratë jetojnë mesatarisht deri në 76,3 vjet ndërsa burrat 71,5, sikurse mësohet nga një seri studimesh botuar në revistën presitjgoze për mjekësinë “The Lancet”. “Rritja e ndjeshme e popullsisë në plakje dhe faktorët e rrezikut në ndryshim kanë hapur një epokë të re të sfidave globale për shëndetin”, deklaroi Christopher Murray nga Universiteti i Uashingtonit në Seattle. Ekipi i studiuesve ka vlerësuar gjithsej mbi 300.000 burime të dhënash. Mbi bazën e të dhënave për vitin 2023 u ndërmorrën vlerësime për 204 shtete dhe territore.
Ndërkaq, shkencëtarët kinezë po punojnë për zhvillimin e një terapie revolucionare që mund të zgjasë jetën e njeriut deri në 150 vjet. Ky progres mbështetet në një komponent të veçantë të farës së rrushit, PCC1, i cili në testet laboratorike me minj shkatërroi qelizat e plakura, duke zgjeruar jetëgjatësinë e tyre me më shumë se 9%. Rezultatet kanë ngjallur entuziazëm në komunitetin shkencor, pasi qelizat e plakura janë një nga arsyet kryesore të dobësimit të organeve dhe zhvillimit të sëmundjeve të lidhura me moshën.
Ekspertët e quajnë këtë teknologji një “Shenjë e Shenjtë” në kërkimin për të luftuar plakjen. Aktualisht, ekipi kinez po adaptuar terapi për përdorim tek njerëzit, me shpresën se efektet e PCC1 mund të reduktojnë plakjen qelizore dhe të zgjerojnë jetën e shëndetshme të njeriut. Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë se është ende herët për të nxjerrë përfundime për njerëzit dhe do të nevojiten vite të tjera testimesh klinike për të vlerësuar sigurinë dhe efektivitetin e saj. Nëse ky eksperiment ka sukses tek njerëzit, ai mund të ndryshojë rrënjësisht kuptimin e jetëgjatësisë dhe shëndetit në moshë të thyer, duke hapur mundësi të reja për shërbimet shëndetësore, ekonominë dhe stilin e jetës së njerëzve në dekadat e ardhshme.