Lifestyle

Studimi zbulon “sekretin” e gruas spanjolle që jetoi 117 vjet!

Një studim i publikuar në revistën shkencore Cell Reports Medicine ka hedhur dritë mbi faktorët që ndihmuan Maria Branyas Morera, gruan spanjolle me origjinë nga SHBA, të arrinte moshën e jashtëzakonshme prej 117 vjet e 168 ditësh, deri në vdekjen e saj në gusht 2024.

Ekipi i udhëhequr nga Dr. Manel Esteller në Barcelonë analizoi mostra të ndryshme biologjike, përfshirë gjakun, pështymën, urinën dhe mikrobiomën e zorrëve të saj, duke i krahasuar me ato të 75 grave të tjera nga gadishulli Iberik. Rezultatet treguan se jetëgjatësia e saj ishte një kombinim unik i “lotarisë gjenetike” dhe një mënyre jetese të shëndetshme mesdhetare.

Sekretet e përditshme të Maria Branyas përfshinin:

  • Moskonsumimin e alkoolit dhe duhanit
  • Një dietë të pasur me vaj ulliri
  • Konsumimin e tre porcioneve kos në ditë
  • Jetën në mjedis fshatar dhe ecjen rregullisht për rreth një orë në ditë

Sipas shkencëtarëve, këto zakone i kanë mbajtur mikrobiomën e saj të zorrëve të shëndetshme, duke ndihmuar në uljen e inflamacionit dhe ngadalësimin e procesit të plakjes. Për më tepër, gjenet e Maria Branyas mbrojnë funksionin imunitar, kujtesën, metabolizmin dhe shëndetin e trurit dhe zemrës.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk ekziston një “recetë magjike” për jetëgjatësinë, pasi çdo organizëm plaket në mënyrë të ndryshme.

Ky studim përfaqëson një nga analizat më të thella mbi sekretet biologjike të superqindvjeçarëve dhe pritet të nxjerrë në pah kërkime të reja për të kuptuar më mirë faktorët që ndikojnë në jetëgjatësi.