Botë e Çuditshme

Injeksioni që mund t’ua dyfishojë jetën maceve!

Një injeksion eksperimental i zhvilluar në Japoni mund të ndryshojë rrënjësisht jetën e maceve, duke trajtuar shkakun kryesor të vdekjes së tyre dhe potencialisht duke dyfishuar jetëgjatësinë deri në 30 vjet. Trajtimi, i zhvilluar nga studiuesi japonez Toru Miyazaki, synon të luftojë sëmundjen kronike të veshkave, një gjendje që prek shumicën e maceve në moshë të avancuar dhe konsiderohet shkaku kryesor i vdekjes së tyre. Zbulimi vjen pas më shumë se dy dekadash kërkimesh mbi një problem biologjik unik te macet.

Sipas Miyazaki-t, arsyeja pse sëmundja e veshkave godet kaq rëndë macet lidhet me një proteinë specifike në gjak. Tek shumica e gjitarëve përfshirë njerëzit dhe qentë, kjo proteinë ndihmon veshkat të largojnë mbetjet toksike kur organi fillon të dobësohet. Por te macet, proteina mbetet e “bllokuar” me një tjetër proteinë dhe nuk aktivizohet siç duhet. Si rezultat, toksinat grumbullohen gradualisht në organizëm derisa veshkat dështojnë.

Miyazaki e identifikoi për herë të parë proteinën në vitin 1999, gjatë kohës kur punonte në University of Tokyo. Në vitin 2015, ai zbuloi defektin biologjik specifik te macet, ndërsa rezultatet e fundit të studimit u publikuan në shkurt në revistën Veterinary Journal. Injeksioni i ri funksionon si një version aktiv i proteinës që mungon, duke ndihmuar organizmin e maceve të luftojë dëmtimin progresiv të veshkave. Kompania e Miyazaki-t, Institute for AIM Medicine, dorëzoi më 24 prill 2026 dokumentacionin për miratim pranë Ministrisë japoneze të Bujqësisë.

Nëse autoritetet japoneze japin dritën jeshile, trajtimi mund të dalë në treg në pranverën e vitit 2027. Megjithatë, vetë studiuesi pranon se pretendimi për jetëgjatësi deri në 30 vjet mbetet një projeksion teorik dhe jo një rezultat i provuar shkencërisht deri tani. Kërkimi pothuajse dështoi gjatë pandemisë COVID-19, kur projekti mbeti pa financim në vitin 2020. Miyazaki apeloi publikisht për mbështetje dhe pronarët e maceve në Japoni reaguan masivisht, duke dhuruar rreth 300 milionë jenë afërsisht 2 milionë dollarë.