Bota

Shkëputet kabulli dhe bie teleferiku, humbin jetën 7 murgj budistë!

Shtatë murgj budistë kanë humbur jetën në një aksident tragjik me teleferik gjatë natës në Sri Lanka, teksa po udhëtonin drejt Manastirit Na Uyana. Sipas hetimeve paraprake, aksidenti ndodhi pasi kablloja e teleferikut u këput, duke shkaktuar rënien e kabinës në të cilën ndodheshin gjithsej 13 murgj. “Dy murgj arritën të shpëtonin me lëndime të lehta, ndërsa katër të tjerë janë në gjendje kritike. Shtatë persona kanë ndërruar jetë,” deklaroi një zyrtar i policisë.

Ndër viktimat ndodhen murgj nga India, Rusia dhe Rumania, të cilët po udhëtonin drejt Manastirit Na Uyana, një qendër e njohur meditimi që ndodhet rreth 130 kilometra në verilindje të Kolombos. Autoritetet lokale kanë nisur një hetim të plotë për të zbuluar shkaqet e sakta të aksidentit dhe për të vlerësuar sigurinë e sistemit të teleferikut që lidh zonat malore me manastirin. Rikujtojmë, se tempulli i famshëm Shaolin në Kinë ka konfirmuar se abati i tij, Shi Yongxin, është vënë nën hetim nga disa agjenci për akuza të rënda që përfshijnë përvetësim fondesh, marrëdhënie të papërshtatshme me gra dhe lindje të fëmijëve të paligjshëm.

Tempulli 1500-vjeçar, i vendosur në provincën Henan të Kinës qendrore, është një nga qendrat më të njohura të budizmit dhe arteve marciale, duke tërhequr çdo vit mijëra dishepuj nga e gjithë bota. Shi Yongxin, i njohur si “murg CEO” për shkak të transformimit të tempullit në një markë globale që përfshin shkolla ndërkombëtare dhe trupa kung fu, ka qenë abati që nga viti 1999. Por Shoqata Budiste e Kinës njoftoi të hënën se atij i është hequr certifikata e shugurimit, duke thënë se “veprimet e tij kanë dëmtuar rëndë imazhin e komunitetit budist”.