Aktualitet

Shkodër, arrestohet 43 vjeçari që trafikonte emigrantë drejt Malit të Zi!

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Shkodër finalizoi operacionin policor të koduar “Borders 4”, duke vënë në pranga një 43-vjeçar që dyshohet se ndihmonte emigrantë nga vendet e treta të kalonin kufijtë në mënyrë të paligjshme, kundrejt pagesës 400-500 euro për person.

Shtetasi me iniciale K.Ll., 43 vjeç, banues në Mamurras, u kap në flagrancë në fshatin Vukpalaj, teksa transportonte me automjet gjashtë emigrantë të paligjshëm, tre nga Siria dhe tre nga Egjipti, të cilët synonin të kalonin kufirin drejt Malit të Zi.

Policia bën me dije se i arrestuari ishte i dënuar edhe më parë për të njëjtën veprimtari kriminale. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe telefoni i tij celular.

Sipas hetimeve paraprake, 43-vjeçari dyshohet se i merrte emigrantët që hynin ilegalisht në Shqipëri nga Qafë Bota dhe më pas i transportonte drejt zonës kufitare me Malin e Zi, kundrejt shpërblimit financiar.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrjetit të mundshëm të bashkëpunëtorëve dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.