Rajoni

Mali i Zi shënon 20 vjetorin e rikthimit të pavarësisë shtetërore!

Me një sërë ceremonish, koncertesh dhe deklaratash nga zyrtarët se rruga drejt Bashkimit Evropian, uniteti qytetar dhe forcimi i institucioneve mbeten prioritetet kryesore, sot Mali i Zi shënon 20 vjet nga referendumi i vitit 2006, me të cilin riktheu pavarësinë shtetërore.

Me këtë vendim, pas 88 vjetësh, Mali i Zi u bë sërish i pavarur. Në referendum votuan 86.5% e numrit të përgjithshëm të votuesve. Pavarësinë e mbështetën 55.5% e tyre ndërsa 44.5, votuan për qëndrimin në një shtet të përbashkët me Serbinë.

Sot, 20 vjet më vonë, sipas sondazheve të opinionit publik, idenë e një Mali të Zi të pavarur e mbështesin rreth 70% e qytetarëve. Fushatën e atëhershme për pavarësi e udhëhoqi lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve, Milo Gjukanoviç.

Pyetja e referendumit ishte: “A dëshironi që Republika e Malit të Zi të jetë shtet i pavarur me subjektivitet të plotë ndërkombëtar?”

Fushata e referendumit u zhvillua në një atmosferë tensionesh mes bllokut për pavarësi dhe partive proserbe që kërkonin shtet të përbashkët me Serbinë. Në këtë proces morën pjesë edhe pakicat kombëtare, që ishin pjesë e bllokut për pavarësi.

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiç, deklaroi se dy dekada pas rikthimit të pavarësisë, Mali i Zi ka një ide që e bashkon dhe e udhëheq:

Mali i Zi evropian dhe projekti i një Evrope të bashkuar.

Në një ceremoni me rastin e 20-vjetorit të pavarësisë, Spajiq tha se referendumi i vitit 2006 ishte një hap i madh, por vetëm i pari në ndërtimin e shtetit.

20 vjet pas referendumit, Mali i Zi është një shtet i njohur ndërkombëtarisht, anëtar i NATO-s dhe “kandidat i radhës” për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por njëkohësisht mbetet vend me ndarje të thella politike dhe me ndikim të fortë të Kishës Ortodokse Serbe.

Në këta 20 vjet, ka arritur të përafrohet me BE-në e të bëhet anëtar i NATO-s në vitin 2017. Po ashtu ka përjetuar trazira të shumta politike, si edhe një ndryshim paqësor të pushtetit në vitin 2020, kur fituesit e referendumit ua dorëzuan pushtetin atyre që në vitin 2006 ishin kryesisht për bashkim me Serbinë.