Një zjarr i shkaktuar nga një shkëndijë elektrike ka djegur plotësisht dy banesa në Shkodër e dy të tjera pjesërisht. Ngjarja ndodhi në orët e natës, në lagjen “Ahmet Haxhija” të qytetit verior. Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Një kalimtar i rastësishëm ndihmoi disa të moshuar që ndodheshin brenda ndërtesave duke i nxjerrë jashtë.
Gjithashtu, ai largoi një bombol gazi e shmangu shpërthimin e saj. Mësohet se zjarrfikësit e patën të vështirë ndërhyrjen për shkak të rrugicave të ngushta e makinave të parkuara në zonë.
Njoftimi i policisë:
Mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Ahmet Haxhija”, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr dhe janë djegur plotësisht banesat e shtetasve B. K., 80 vjeç dhe S. K., 74 vjeç, dhe janë djegur pjesërisht banesat e shtetasve F. K., 68 vjeç, dhe Sh. Z., 75 vjeçe. Nga zjarri nuk ka patur shtetas të dëmtuar.