Egnatia do të sfidojë kampionët e Islandës, Breidablik, në turin e parë kualifikues të Ligës së Kampioneve. Nëse fiton, do të përballet me Lek Poznan në turin e dytë.
Goglat nuk u treguan bujare as me Dritën apo Shkëndijën. Drita do të përballet me Kopenhagenin nëse kalon turin, ndërsa Shkëndija me fituesin e Steaua e Bukureshtit-Inter Eskaldes.
Favor për Egnatian mund të quhet fakti se ndryshe nga sfida me Breidablik, këtë herë nëse kalohet turi ndeshja e kthimit do të luhet në Shqipëri.
Trajneri Tetova: Nuk ka short të lehtë në Champions, synojmë kualifikimin
Trajneri Edlir Tetova ka besim se në vitin e tretë në Europë do të kalojnë të paktën një tur.
Tetova pohon se nuk e njeh kundërshtarin, por ka nisur ta studiojë lojën e tyre. Ai pret ardhjen e tre lojtarëve në merkato për ta quajtur përfundimisht grupin të plotë për pjesëmarrjen në Europë.
Tetova, si e pritët shortin?
Shorti sigurisht që të jep emocion, por të them të drejtën e prita shumë i qetë.
Short me fat për Egnatian, apo të gjitha janë ekipe të forta?
Jo, nuk besoj që është me fat. Është Liga e Kampioneve dhe të gjitha ekipet janë të forta në këtë kompeticion. Megjithatë, ne do të bëjmë më të mirën në këtë raund.
Nuk kam informacion për kundërshtarin, por pas shortit jam ulur ta shoh. Janë ekip që mbajnë topin në zotërim dhe luajnë shkurt me pasime. Kanë pika të forta në mbrojtje, mesfushë dhe sulm.
Do jemi më të fokusuar dhe më të motivuar se kurrë për të mos bërë gabimet e së kaluarës.