Shpërthen bombola e gazit në Kuçovë, një viktimë dhe një i plagosur. Një grua e moshuar humbi jetën nga shembja e banesës, si rezultat i forcës së shpërthimit. Alie Kosova 84-vjeçe u nxor e pajetë nga rrënojat e shtëpisë, ndërsa bashkëshorti i saj, Mustafa Kosova 86-vjeç po mbahet në mbikëqyrje mjekësore në spitalin rajonal të Beratit.
Siç njoftohet zyrtarisht, momentalisht është në gjendje shëndetësore të stabilizuar. Ndërkaq, vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë të ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit në lagjen “11 Janari” të Kuçovës.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në lagjen “11 Janari”, Kuçovë, ku ka shpërthyer një bombol gazi në banesën e shtetasve M.K e A.K, shërbimet e Njësisë Speciale, të zjarrfikëses dhe të Policisë bënë të mundur nxjerrjen e shtetases A.K, e cila si pasojë e dëmtimeve të marra kishte ndërruar jetë.
Ndërsa shtetasi M.K., ndodhet nën kujdesin e mjekëve, në spitalin rajonal në Berat, për momentin në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Grupi hetimor, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.