Aktualitet

Tritol në oborrin e një banese në Memaliaj!

Një shpërthim me lëndë plasëse u regjistrua në oborrin e një banese në fshatin Toç të Memaliajt, rreth mesnate. Nuk ka të lënduar. Policia bën me dije se gjatë largimit, në afërsi të fshatit Qesarat, nga autori apo autorët u dogj automjeti i përdorur për ngjarjen, duke vijuar në këmbë.

Mësohet se shtëpia është në pronësi të shtetasit Burjan Kapa, kryetar i Njësisë Administrative Qesarat. Ai pohoi se nuk ka konflikte me njeri.

Më datë 06.04.2026, rreth orës 00:10, në oborrin e banesës së shtetasit B.K., 67 vjeç, në fshatin Toç, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Autori/autorët, gjatë largimit, në aksin rrugor Krahës-Memaliaj, në afërsi të fshatit Qesarat, dyshohet se kanë djegur automjetin me të cilin lëviznin dhe më pas janë larguar në këmbë.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës për lokalizimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon intensivisht veprimet hetimore për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, njofton policia.