Bota

Shqetësim për Alpet franceze, po humbasin akullnajat me shpejtësi!

Një glaciolog francez me përvojë paralajmëroi se akullnajat e Alpeve kanë humbur më shumë se gjysmën e vëllimit të tyre që nga fundi i shekullit të 19-të, duke theksuar ndikimin përshpejtues të ndryshimeve klimatike në vargmalin më të lartë të Evropës.

Në një intervistë si pjesë e raporteve speciale “Maja e Evropës: Alpet”, Sylvain Coutterand detajoi ndryshimet e thella që ndikojnë në rajonin e Alpeve të Francës. Ai theksoi një transformim të thellë në peizazhin e Alpeve.

Duke kujtuar vizitat e verës së fëmijërisë në vitet 1970 dhe 1980 në Les Houches, një fshat në rajonin Auvergne-Rhone-Alpes pranë Chamonixit, vuri në dukje se reshjet ishin të shpeshta, çdo dy ditë, duke mbajtur borën në lartësi të mëdha e duke lejuar akullnajat të përparojnë.

Sot, temperaturat në rritje janë shumë më të theksuara në vendpushimet e skive si në Chamonix të Francës dhe Zermatt të Zvicrës.

Ndryshimi i klimës ndihet më intensivisht në male se gjetkë, tha Coutterand.

Regjistrimet e temperaturës në Alpe datojnë që nga vitet 1880.

Nga fundi i shekullit të 19-të, akullnajat kanë humbur më shumë se 50% të vëllimit të tyre.

Akullnajet e Alpeve filluan të tërhiqen nga shtrirjet e tyre maksimale të Epokës së Vogël të Akullnajeve rreth mesit të shekullit të 19-të, sipas rindërtimeve glaciologjike, me periudha të shkurtra stagnimi ose përparimi të përsëritur në shumë rajone gjatë viteve 1890, 1920 e 1970-1980.

Akullnajat në lartësi më të ulëta dhe ato më të vogla që atëherë janë zhdukur plotësisht.

Zhdukja e akullnajave po ndodh tani

Sipas modeleve, akullnajat ikonike si Mer de Glace mund të zhduken midis viteve 2060 dhe 2080.

Jemi plotësisht në epokën e ndryshimeve klimatike, pa asnjë fund në horizont, tha Coutterand.

Duke parë përpara, ai parashikoi sfida të rënda për prodhimin e energjisë hidroelektrike dhe për ftohjen e centraleve bërthamore për shkak të rrjedhës së reduktuar të ujit. Vetëm në Luginën Chamonix, problemet e ardhshme të furnizimit me ujë duken të mëdha sapo akullnajat të zhduken.