Ed Sheeran ka surprizuar fansat me një deklaratë emocionale gjatë koncertit të tij në Arizona, duke lënë të kuptohet se pas përfundimit të turneut aktual mund të largohet për një periudhë nga muzika për t’iu përkushtuar familjes.
Ylli britanik, i njohur për hitet globale si “Shape of You”, ndau lajmin gjatë koncertit në Glendale, ku nisi zyrtarisht pjesën amerikane të turneut të tij “LOOP”.
Pas interpretimit të disa prej këngëve më të njohura të karrierës së tij, Sheeran iu drejtua publikut me një mesazh që preku fansat.
Kjo ndoshta do të jetë hera e fundit që jam këtu për një kohë. Pasi të mbarojë turneu, mund të bëj një pushim dhe t’i përkushtohem jetës familjare
-tha ai nga skena.
Më pas, këngëtari 35-vjeçar falënderoi publikun për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite.
Nëse nuk shihemi për një kohë, ju dua dhe ju falënderoj që erdhët
-u shpreh ai mes duartrokitjeve të mijëra fansave.
Vendimi nuk vjen si surprizë për ata që kanë ndjekur ritmin intensiv të artistit gjatë muajve të fundit. Sheeran ka kaluar pjesën më të madhe të vitit 2026 në rrugë, duke performuar në kontinente të ndryshme.
Turneu nisi në janar në Zelandën e Re, për të vazhduar më pas në Australi dhe Amerikën e Jugut. Aktualisht ai ndodhet në Amerikën e Veriut, ku do të performojë për gati pesë muaj. Koncerti i fundit i planifikuar i turneut do të mbahet më 7 nëntor në Tampa të Floridës.
Për Ed Sheeran, familja duket se mbetet prioriteti më i madh. Ai dhe bashkëshortja e tij, Cherry Seaborn, janë prindër të dy vajzave, Lyra dhe Jupiter, dhe artisti ka folur shpesh për dëshirën për të kaluar më shumë kohë larg vëmendjes së publikut.
Kjo nuk është hera e parë që këngëtari vendos të largohet përkohësisht nga industria muzikore. Pas suksesit të albumit “Multiply”, ai mori një pauzë prej rreth nëntë muajsh mes viteve 2015 dhe 2016.
Një tjetër pushim i gjatë erdhi pas turneut maratonë “Divide”, kur Sheeran u tërhoq pothuajse plotësisht nga jeta publike nga viti 2019 deri në vitin 2021.
Megjithatë, fansat shpresojnë se ky nuk do të jetë një lamtumirë, por vetëm një kapitull i ri për artistin, i cili duket i vendosur të balancojë suksesin global me jetën familjare.