Një shtetas shqiptar mbeti viktimë e një atentati me armë zjarri në Toronto të Kanadasë. Policia kanadeze njoftoi se ka identifikuar viktimën si Paulin Harusha. 43 vjeçari u gjet i qëlluar brenda një automjeti pranë një qendre tregtare në zonën e Scarborough-ut. Specifikohet se kjo zonë ndodhet në afërsi të kryqëzimit të rrugëve Victoria Park Avenue e Meadowacres Drive.
Sipas autoriteteve kanadeze, autorët u larguan nga vendngjarja me një SUV, ndërsa oficerët e policisë që shkuan menjëherë në terren pas marrjes së njoftimit, tentuan ta ndihmonin viktimën, por pa sukses pasi kishte ndërruar jetë.
Harusha u shpall i vdekur në vend, duke u bërë kështu viktima e 31-të e një vrasjeje në Toronto për këtë vit. Policia kanadeze ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij krimi, si dhe për të hedhur më shumë dritë mbi motivet.