Bota

Zjarret në Kanada mbulojnë SHBA-në me tym, mbi 100 milionë njerëz përballen me ajër të rrezikshëm

Tymi i zjarreve masive në Kanada ka përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në një pjesë të madhe të Shteteve të Bashkuara, duke prekur mbi 100 milionë banorë në 18 shtete dhe Uashington DC.

Qytete si Chicago, Detroit, Milwaukee, Filadelfia dhe Uashingtoni po përballen me nivele të larta ndotjeje, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe të përdorin maska mbrojtëse nëse dalin jashtë.

Për shkak të tymit janë shtyrë ndeshje sportive, janë anuluar aktivitete në natyrë dhe janë mbyllur përkohësisht disa parqe argëtimi.

Meteorologët parashikojnë se situata do të fillojë të përmirësohet gjatë fundjavës, falë reshjeve të shiut, ndryshimit të erërave dhe një fronti të ftohtë që pritet të shpërndajë tymin.

Sipas ekspertëve, grimcat e imëta të tymit mund të shkaktojnë probleme serioze me frymëmarrjen dhe të përkeqësojnë sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.