Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha sot se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të marrë një vrull të ri. Në një deklaratë për mediat, pas pjesëmarrjes në një takim të Dhomës Ekonomike Amerikane në Beograd, diplomati i Uashingtonit u shpreh:
Jam i kënaqur që ata po planifikojnë që të takohen më 2 maj. Duket qartë se tani është koha për të formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Shpresoj që do të pasojë përparimi i plotë dhe i qëndrueshëm në dialog.
Hill shtoi se pret që çështja e Asociacionit të jetë në axhendën e takimit të radhës së përfaqësuesve të Serbisë e Kosovës në Bruksel.
Ka disa arsye për këtë. Së pari, populli serb duhet të kuptojë se duhet të zbatohen marrëveshjet ndërkombëtare që i kanë arritur njerëz seriozë në bashkësinë ndërkombëtare. Arsyeja e dytë është se komuniteti serb në Kosovë duhet ta kuptojë më mirë se cila është e ardhmja e tij e sigurisht që këtë do ta sigurojë Asociacioni.
Pyetjes së gazetarëve nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të kënaqur me hapat e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës për themelimin e Asociacionit së Komunave Serbe, Hill iu përgjigj duke vënë në dukje se për këtë do të dihet më shumë kur Asociacioni i Komunave të jetë në axhendën e dialogut.
Unë e përsëris, kjo është një temë që vazhdon prej 10 vjetësh dhe duhet të trajtohet dhe zbatohet.
Marrëveshja për themelimin e Asociacionit u arrit në vitin 2013, në kuadër të dialogut të Brukselit. Dy vjet më vonë, Kosova e Serbia ranë dakord mbi marrëveshjen lidhur me parimet mbi të cilat do të formohej ky Asociacion.
Më 2015-ën, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se disa parime nuk janë në përputhje me ligjet, por se ato mund të harmonizohen. Deri tani, autoritetet në Kosovë nuk kanë pranuar të formojnë Asociacionin, duke argumentuar se është i dëmshëm dhe mund të dëmtojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.