Kanë ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare si pasojë e COVID-19 binjakët më të famshëm të Francës. Në 15 dhjetor, Igor dhe Grichka Bogdanoff u shtruan në një spital të Parisit, ku qëndruan për 2 javë, derisa në datën 28 dhjetor, Grichka ndërroi jetë. Igor rezistoi deri në datën 3 janar, por pa i mbijetuar dot më tej koronavirusit.
Binjakët Bogdanoff ishin shumë popullorë mes elitës franceze dhe ishin miq të shumë personaliteteve të shquara. Ata u bënë të famshëm në vitet ’70, me programin e parë televiziv që i kushtohej shkencës, ndërkohë që bota i njohu më shumë për pamjen e jashtme të tyre, të modifikuar me operacione plastike.

Dyshja ishin të pandashëm me njëri-tjetrin. Në vitin 1979, ata lançuan shfaqjen e parë televizive tërësisht rreth fantashkencës, ‘Temps X’. Ata lindën më 29 gusht 1949 në Francën jugperëndimore. Me prejardhje nga fisnikëria gjermane dhe austriake, ata u rritën nga gjyshja e tyre, një konteshë. Të dy studiuan matematikën e aplikuar.
Asnjë nga vëllezërit nuk ishte vaksinuar kundër COVID-19. I pyetur për këtë në radion franceze muajin e kaluar, Igor Bogdanoff përmendi shkencëtarin kontrovers francez Dr.Didier Raoult, njeriu që e bëri hidroksilklorinën një emër të njohur. Raoult tha se kishte më shumë besim në vaksinat e ardhshme sesa ato të disponueshme tani dhe Igor Bogdanoff ra dakord se ishte më mirë të priste.

Ish-ministri francez i Arsimit Luc Ferry ishte një mik i vjetër i vëllezërve. Ai u tha mediave franceze se kishte folur me binjakët për vaksinat kundër COVID dhe u tha atyre “ju jeni të çmendur” që nuk i bëni. Ai tha se ata ishin anti vaksinës, duke besuar se shëndeti dhe aftësia e tyre e mirë fizike do t’i shpëtonte nga virusi.