Lifestyle

Si heqja dorë nga perfeksionizmi përshpejton inovacionin!

Inovacioni rrallë vjen i paketuar bukur. Më shpesh, ai lind në mesin e rrëmujshëm, kur idetë janë ende në formim, supozimet po lëkunden dhe krijuesit pyesin veten nëse kanë “mbërritur”. Pikërisht aty vepron Jason F. McLennan. Arkitekti, autori dhe pionieri i Living Building Challenge argumenton se obsesioni me perfeksionin është një nga pengesat më të mëdha të përparimit.

Në librin e tij të ri The Magic of Imperfection: The ¾ Baked Secret to Unlocking Innovation and Getting More Done, McLennan përshkruan një filozofi që e sheh ekselencën si produkt të bashkëpunimit dhe pranimit strategjik të ‘paplotësisë’.

Ai i fton drejtuesit të rishikojnë mënyrën si ndërtojnë, krijojnë e matin suksesin.

Si arkitekt, duhet të marrësh mijëra vendime të ndërlikuara, nën afate të rrepta e buxhete të kufizuara. Kjo të mëson shpejt se kur duhet të ndalosh përsosjen e detajeve dhe të ecësh përpara. Një ide qendrore është metafora e “trim tab”-it, timoni i vogël që ndihmon timonin e madh të kthejë një anije gjigante. Çelësi i ndikimit është të dish ku të vendosësh levën. Kjo mësohet vetëm duke provuar e dështuar.

McLennan shqetësohet se kultura moderne e ndëshkon aq fort dështimin, sa vret inovacionin që në nisje. Inovacioni kërkon rreziqe të llogaritura dhe pranimin e mundësisë për të gabuar. Zgjidhja? Të shkëputësh egon nga puna, të jesh objektiv dhe t’i shohësh dështimet si mjetet më të fuqishme të të mësuarit.

Qasja “¾ e pjekur” kërkon feedback në momentin e duhur, as shumë herët, as shumë vonë. Zhurma e rrjeteve sociale nuk është feedback real; vlera vjen nga kritika e informuar e kolegëve, mentorëve dhe klientëve. Frika nga dështimi i bën kompanitë gjithnjë e më burokratike dhe të ngurta. “Shumë e mëdha për të dështuar” shpesh do të thotë të fryra dhe jo elastike dhe në mënyrë paradoksale, më të rrezikuara.

Çdo shpikje e madhe nisi e papërsosur. Po të prisnin perfeksionin, shumë prej tyre s’do të ekzistonin. Papërsosmëria nuk është armiku i madhështisë, është porta hyrëse e saj./shqip.al