Me ardhjen e vjeshtës dhe ndezjen e ngrohjes, shumë familje nisin të thajnë rrobat brenda, duke shtuar lagështinë në ajër. Kjo situatë shpesh çon në formimin e mykut, i cili jo vetëm dëmton muret dhe mobiliet, por edhe rrezikon shëndetin.
Ekspertët e “Radcliffe and Rust” këshillojnë përdorimin e një metode gjermane shumë efektive të quajtur “Stoßlüften”, që përkthehet si ajrosje e befasishme.
Kjo teknikë konsiston në hapjen e plotë të dritareve për vetëm 3 deri në 5 minuta, duke lejuar që ajri i lagësht të dalë jashtë dhe të zëvendësohet me ajër të freskët.
Sipas tyre, kjo metodë është më e efektshme në ditët e ftohta dhe të thata, kur jashtë ka pak lagështi.
Në këtë mënyrë shmanget grumbullimi i avullit nga gatimi, tharja e rrobave apo dushi, që shpesh krijojnë kushtet ideale për mykun.
Për një rezultat më të mirë, rekomandohet që dritaret të hapen në të dyja anët e shtëpisë, duke krijuar qarkullim të shpejtë të ajrit. Praktika mund të bëhet një herë në mëngjes, pasi gjatë natës trupi çliron lagështi, si dhe në mbrëmje nëse ndjeni rëndim në ambiente.
Ekspertët theksojnë se, edhe pse ajri i freskët mund të jetë më i ftohtë, struktura e shtëpisë mbetet e ngrohtë dhe nxehtësia rikthehet menjëherë pas mbylljes së dritareve.
Stoßlüften, siç theksojnë ata, është një zakon i vogël, por shumë i fuqishëm për të mbajtur shtëpinë të shëndetshme dhe larg mykut gjatë muajve të ftohtë.