Health & Beauty

Ja si të ndaloni mykun në shtëpi kur thani rrobat brenda!

Me afrimin e vjeshtës dhe dimrit, moti po bëhet gjithnjë e më i ftohtë dhe një nga sfidat më të zakonshme gjatë këtyre muajve është tharja e rrobave. Ndërsa larja nuk është problem, tharja e rrobave të pastra pa një makinë të posaçme për tharjen e tyre mund të jetë sfiduese. Megjithatë ekspertët ndajnë rreziqet që vijnë nga lagështia e myku. Eksperti i pastrimit të shtëpisë dhe lavanderisë, Nigel Bearman nga kompania Daily Poppins, shpjegon:

Shumë njerëz mendojnë se lagështia është thjesht një problem estetik, pak myk në mur apo avull në dritare. Por në të vërtetë, ajo mund të ketë pasoja serioze për shëndetin, sidomos për fëmijët, të moshuarit apo personat me astmë dhe alergji.

Gjëja më e rëndësishme është të kujdesesh për qarkullimin e ajrit. “Edhe nëse është ftohtë, hap dritaret për 10-15 minuta gjatë tharjes së rrobave. Kjo ndihmon në largimin e lagështisë nga ajri dhe parandalon mbledhjen e saj në mure e dritare”-këshillon Nigel. Mos i përqendro të gjitha rrobat në një dhomë. Nëse i lë të gjitha rrobat për t’u tharë në të njëjtin ambient, sasia e lagështisë në ajër do të rritet ndjeshëm.

Zgjidhja? Shpërndaji rrobat në dhoma të ndryshme, nëse ke mundësi, kjo ndihmon në përhapjen më të barabartë të lagështisë dhe redukton rrezikun e mykut. Një truk i thjeshtë dhe pa kosto: vendos peshqirë ose çarçafë të thatë nën apo pranë rrobave që po thahen. Këto do të ndihmojnë në përthithjen e lagështisë së tepërt që lëshojnë rrobat.

Ndërkaq, një studim i ri tregon se Urthi (Hedera helix), një bimë e zakonshme dekorative për ambiente të brendshme, mund të luajë rol të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së ajrit të brendshëm. Urthi, në një ambient të kontrolluar, ka treguar se eliminon deri në 94% të grimcave fekale dhe 78% të sporeve të mykut nga ajri, brenda vetëm 12 orëve. Ndotja e ajrit të brendshëm po bëhet një sfidë gjithnjë e më serioze për shëndetin, sidomos në ambiente me ventilim të dobët, si banjo, zyrat apo shtëpitë me kafshë shtëpiake.