Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, u shpreh sot se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit, Prishtinë, pas sulmit ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të vendit, një natë më parë. Siç është bërë tashmë e ditur, një shpërthim i regjistruar mbrëmjen e djeshme i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe energji elektrike në vend.
Autoritetet kosovare e kanë akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit, gjë që është mohuar nga Beogradi zyrtar. Nga ky kanal furnizohen me ujë disa qytete të vendit përmes Liqenit të Ujmanit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Ibër-Lepenci, rreth orës 02:00 pas mesnate, në një afat rekord, ka vendosur gjashtë tuba të përkohshme me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”. Kësisoj, presim që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë i pacenuar, vuri në dukje Rizvanolli në një postim në Facebook sot në mëngjes.
Ndër të tjera, ministrja tha se pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, po ashtu është marrë vendim që autoritetet e vendit të bashkërendohen me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë për të shmangur reduktime të mundshme.
Rizvanolli shtoi se “nga ky akt terrorist” u ndikua edhe furnizimi me ujë.
Përderisa në Prishtinë furnizimi me ujë do të kompensohet nga Badovci dhe Batllava, furnizimi në Fushë Kosovë, Drenas dhe rajonin e Mitrovicës do të sigurohet përmes autobotëve, duke nisur nga mëngjesi i sotëm.
Policia e Kosovës kreu kontrolle e ka arrestime. Lajmin e konfirmoi kryeministri Kurti, i cili foli për dëshmi e prova materiale dhe shtoi se “kriminelët e terroristët” do të përballen me drejtësinë. Më tej, shprehu vendosmërinë e shtetit për të mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike.
Që në fillim, autoritetet e Kosovës akuzuan Serbinë dhe struktura kriminale të udhëhequra nga Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë e sulmit të shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Nuk dihet me saktësi se çfarë lënde plasëse u përdor mbrëmë në Zubin Potok por ministri Sveçla tha se bëhet fjalë për “eksploziv që nuk gjendet lehtësisht në tregun e zi”.
Serbia mohon përfshirjen në sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, duke e dënuar shpërthimin si “të papranueshëm e të patolerueshëm”. Beogradi thekson se ky akt “në mënyrën më të drejtpërdrejtë” rrezikon nevojat themelore jetësore të popullit serb në Kosovë”. Edhe Lista Serbe e dënoi dëmtimin e kanalit të ujit.