Sot, të gjithë e njohin Jil Sander si një markë sinonim i estetikës minimaliste. Kjo falë themelueses së saj, Heidemarie Jiline “Jil” Sander, e cila nga kritikët dhe kolegët është quajtur “Mbretëresha e minimalizmit”. Stilistja gjermane, në rininë e saj, ëndërronte të punonte në botën e medias dhe për një periudhë të shkurtër arriti ta realizonte këtë dëshirë. E lindur në vitin 1943 në Wesselburen, Gjermani, Sander studioi dizajn në Shkollën Shtetërore të Inxhinierisë Tekstile në Krefeld dhe më pas u transferua në Shtetet e Bashkuara, ku ndoqi studimet në Universitetin e Kalifornisë.
Pas diplomimit në Los Anxhelos, ajo shkoi në Nju Jork, ku punoi si gazetare mode për revistën amerikane McCalls, duke realizuar ëndrrën e saj të atëhershme. Në moshën 21-vjeçare, pas ndarjes së papritur nga jeta të babait të saj, ajo u kthye në Gjermani, në Hamburg. Aty filloi të punonte për disa revista gjermane dhe tre vite më vonë, në 1968, vendosi të hapte butikun e saj të parë, ku nisi të krijonte veshje me makinën e qepjes së nënës së saj.
Në vitin 1973, Jil vendosi të krijonte shtëpinë e saj të modës. Një vit më vonë, ajo prezantoi koleksionin e parë, duke sjellë në botën e modës konceptin e saj të elegancës formale, të menduar për gratë që më në fund po merrnin role profesionale që më parë ishin të rezervuara për burrat. Që në krijimet e para, u vunë re elementët që do të bëheshin shenjat dalluese të markës; linja të pastra, ngjyra të buta dhe një qasje estetike minimaliste.
Minimalizmi i saj nuk ishte vetëm një stil, por një filozofi e mirëfilltë jetese. Kostumet e qepura me mjeshtëri të lartë, të kombinuara me këmisha të bardha klasike, e bënë atë të njohur si “königin des weglassens”, një shprehje gjermane që përkthehet si “mbretëresha e heqjes së gjërave të tepërta”. Suksesi i saj e çoi fillimisht drejt krijimit të një linje kozmetike dhe më pas, në vitin 1997, edhe një linje për meshkuj, e cila ndoqi të njëjtën filozofi si ai i stilit të grave.
Në vitin 1994, Jil Sander mbërriti në Itali. Në Milano, marka hapi showroom-in e parë, i cili shumë shpejt u shndërrua në selinë qendrore të kompanisë. Në vitin 1999, Grupi Prada bleu 75% të aksioneve të kompanisë. Vetëm gjashtë muaj më vonë, Jil Sander u largua nga drejtimi dhe vendin e saj e mori stilisti Milan Vukmirovic. Kjo ishte një periudhë e trazuar për markën, me ndryshime të shumta. Në vitin 2003, Jil Sander u rikthye si stiliste dhe si pjesë e bordit të drejtorëve të Pradës, por një vit më vonë, për shkak të mosmarrëveshjeve me kompaninë, u largua sërish.
Megjithatë, marka mbeti e fortë dhe e qëndrueshme. Në vitin 2005, Raf Simons u emërua drejtor kreativ për linjat e burrave dhe grave. Me kalimin e kohës, ai i përshtati vizionin e tij me kodet estetike të markës Jil Sander. Kjo u reflektua veçanërisht në koleksionin vjeshtë-dimër 2007-2008, i cili u prit me lavdërime nga kritikët. Ndërkohë, në vitin 2006, marka u shit nga Grupi Prada te fondi Chande Capital Partners, ndërsa në vitin 2008 kaloi në pronësi të Onward Holdings, një kompani japoneze. Pas largimit të Simons, Jil Sander u rikthye në drejtimin e markës për rreth një vit. Në vitin 2014, Rodolfo Paglialunga u emërua drejtor kreativ dhe qëndroi në këtë post për tre vite. Në vitin 2017, marka kaloi në pronësi të OTB Group dhe drejtimin kreativ e morën Lucie dhe Luke Meier, të cilët janë ende në krye të saj.