Food & Drink Health & Beauty Lifestyle

Skyr, jogurt grek apo kefir? Njëri të mban më gjatë të ngopur, por cili fiton “luftën” për dobësim?

Të pasura me proteina dhe probiotikë, produkte si jogurti grek, skyr dhe kefiri po fitojnë gjithnjë e më shumë popullaritet tek ata që duan të humbin peshë në mënyrë të shëndetshme.

Këto ushqime të fermentuara jo vetëm që ndihmojnë në ndjenjën e ngopjes, por edhe përmirësojnë tretjen dhe funksionimin e metabolizmit.

Sipas dietologëve, ato përmbajnë elementë të rëndësishëm si kalcium, proteina, vitamina B12 dhe kultura të gjalla që veprojnë si probiotikë.

Jogurti grek, një version më i kulluar i kosit, është më i trashë dhe më i pasur me proteina, duke ndihmuar në kontrollin e oreksit dhe stabilizimin e energjisë gjatë ditës.

Nga ana tjetër, skyr, një produkt tradicional islandez, spikat për përqendrimin shumë të lartë të proteinave dhe përmbajtjen e ulët të yndyrës. Kjo e bën atë zgjedhjen ideale për ata që kërkojnë të ndihen të ngopur për më gjatë dhe të ruajnë masën muskulore gjatë dobësimit.

Ndërsa kefiri, një pije e fermentuar me origjinë nga rajoni i Kaukazit, është më i pasur me probiotikë dhe më i lehtë për t’u tretur. Edhe pse përmban më pak proteina, ai ndihmon në balancimin e florës së zorrëve dhe përmirësimin e tretjes.

Pra, cili është më i miri?

– Për ngopje më të gjatë – skyr

– Për një balancë ushqimore – jogurt grek

– Për tretje më të mirë – kefir

Ekspertët theksojnë se nuk ka një zgjedhje perfekte universale. Të treja mund të jenë pjesë e një diete të shëndetshme për dobësim, për sa kohë konsumohen pa sheqer të shtuar dhe në mënyrë të balancuar.