Kryeministri Edi Rama publikoi një deklaratë të eurokomisioneres Marta Kos, lidhur me diskutimet për projektet turistike të planifikuara në Zvërnec e Sazan. Në një postim, shkroi se Komisioni Europian është njohur në detaje me procesin administrativ rreth tyre dhe se komisionerja Kos “ka folur qartë për të gjithë ata që duan t’i referohen fakteve”.
Në deklaratën e dhënë një ditë më parë, Kos mirëpriti të drejtën për të protestuar si një liri themelore për BE-në e të gjithë anëtarët aspirantë, ndërsa tha se për projektet ka marrë garanci nga qeveria shqiptare se do të kryhet verifikim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se do të respektohen standardet europiane për mjedisin.
Shqipëria është një nga vendet pararojë në procesin e zgjerimit dhe ka bërë përparim të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit. Ky përparim është i vlefshëm, i njohur dhe duhet të mbrohet.
Në situata të tilla është e rëndësishme që të gjithë të punojmë mbi bazën e fakteve. Komisioni Europian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritete shqiptare, jo vetëm me kryeministrin Edi Rama.
Sa i përket projektit në zonën Pishporo-Nartë, ashtu si për të gjitha projektet e tjera në zhvillim në Shqipëri, ai duhet të jetë në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet e përcaktuara në kapitullin e mjedisit.
Kapitulli 27-të i procesit të anëtarësimit është i hapur dhe përpara se të mbyllet, situata do të duhet të sqarohet plotësisht, ndërsa mbyllja e tij parashikohet të ndodhë deri në fund të vitit 2027. Roli ynë është të verifikojmë nëse standardet përkatëse janë përmbushur.
Deri atëherë ne inkurajojmë autoritete shqiptare të ndërmarrin hapa që mbështesin përmbushjen e standardeve të mbylljes së kapitujve që ndihmojnë Shqipërinë të ecë përpara në rrugën europiane.
Ne kemi marrë garanci nga qeveria e Shqipërisë se do të kryhet verifikim i plotë i ndikimit në mjedis dhe standardet europiane për mjedisin do të respektohen. Fakti që kjo po ndodh ndërsa Shqipëria po kalon nëpër procesin e anëtarësimit është i rëndësishëm.
Ky proces është ligjërisht dhe politikisht i detyrueshëm dhe i nënshtrohet shqyrtimit dhe vlerësimit të vazhdueshëm. Pra, kjo ofron garancinë më të fortë se natyra dhe mjedisi i Shqipërisë do të mbrohen në përputhje me standardet europiane.