“Slow Down” është kënga më e re e artistit të njohur, kantautorit Jon Tarifa. Herë pas here ai vjen me projekte muzikore, të cilat shpesh kanë qenë edhe në krye të top listave të radiove më të njohura në disa shtete evropiane. Jon vjen së fundmi, me këngën më të re, “Slow Down”. Në një lidhje me Skype për “Wake Up”, artisti foli më shumë për këtë projekt të tij të fundit, por edhe mbi familjen dhe jetën e tij të re në Bali, ku është shpërngulur prej gati një viti.
Zakonisht këngët e tua e kanë një mesazh, e ka një të tillë dhe kjo këngë? Kujt i drejtohet?
Unë këngën e kam regjistruar para se të vija në Bali dhe videoklipi është regjistruar një natë para. Mesazhi i këngës është që edhe pse në pandemi, të duket se çdo gjë po shkon shumë shpejt dhe të duhet të thuash “ngadalëso pak”. Kënga më drejtohet mua, por edhe të gjithë të tjerëve që janë gjendur njësoj si unë kur e shkrova këngën. Ka një mesazh shumë të rëndësishëm që të bën të vlerësosh ato që ti ke.
A ka qenë i vështirë realizimi i këngës, videoklipi?
Klipi ishte gjëja e fundit që bëra para se të largohesha nga Holanda. Nuk mund ta relizoja pa klip se nuk shkonte.
Ka gati 10 ditë që është publikuar. A mendon se do të arrijë suksesin e projekteve të tua të mëparshme muzikore?
Unë në përgjithësi këngët ashtu i bëj, me atë qëllim. Dua që këngët të përcjellin një mesazh, jo thjesht për klikime. Nuk e kam promovuar shumë, thjesht e kam nxjerrë në treg sepse doja të përcillte një mesazh, jo thjesht për t’u transmetuar nëpër top lista. E kam nxjerr sepse unë artin e nxjerr nga zemra.