Barrikadat e serbëve në veri të Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë aty për të pestën ditë rresht dhe lidhur me këtë ngjarje kaq shumë të diskutuar, TAR pyeti shqiptarët nëse ky kërcënim për të dërguar trupa në Kosovë mund të jetë një përgatitje për luftë nga ana e Serbisë?
71% nga votuesit e sondazhit mendojnë se PO, teksa 19% nuk mendojnë kështu, pra JO dhe 10% kanë votuar NUK E DI.
Nga zyra e Kryeministrit Albin Kurti thonë se kjo situatë nuk do të tolerohet gjatë.
Një këshilltar i Kurtit, i cituar nga shtypi vendas, është shprehur se nëse barrikadat nuk hiqen, atëherë do të kalojë në veprim Policia e Kosovës, në koordinim edhe me KFOR-in.
President serb Aleksandar Vuçiç nga ana e tij, pretendon se nuk e ka dhënë ai urdhrin për vendosjen e barrikadave. Këshilltari i Kurtit, Jeton Zulfaj, thotë se ato duhet të hiqen, para se të veprojë policia.
I është dhënë një afat përpara se të hyjnë forcat e policisë e të hapin rrugën për të mundësuar lirinë e lëvizjes. I është dhënë hapësira KFOR-it në mënyrë që ta kryejnë ata fillimisht këtë mision, por e gjithë kjo po bëhet mes tij dhe autoriteteve të Kosovës.
Rrugët janë bllokuar kryesisht me automjete. Ministria e brendshme e Kosovës sqaroi, pas insistimit të vazhdueshëm të zyrtarëve serbë, se asnjë dokument apo marrëveshje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nuk ia ndalon Prishtinës zyrtare Kosovës që të dërgojë forcat speciale të policisë së saj në veri të vendit – zonë kjo e banuar me shumicë serbe.