Rajoni

Serbët e barrikadave nuk flasin për mediat, në veri të Kosovës nuk zhvillohet as mësim!

Situatë e qetë në dukje, por rrugët vijojnë të bllokuara në veri të Kosovës. Kamionë të mëdhenj e autobusë qëndrojnë në fshatin Rudarë të komunës së Zveçanit, në aksin që çon drejt Jarinjës, pikë kufitare me Serbinë. Në hyrje të barrikadës u vendos edhe një shirit me ngjyra të kuqe e të bardhë, për të bllokuar kalimin në anën tjetër të saj.

Personat të cilët qëndrojnë pranë barrikadës në Rudarë, kryesisht punonjës të institucioneve në veri, hezitojnë të flasin publikisht për arsyet e bllokimit të rrugëve. Kërkesave të gazetarëve për prononcim, iu përgjigjën negativisht. Ata qëndrojnë të mbledhur në grupe të vogla e mes tyre ka edhe gra. Disa nga kamionët që kanë bllokuar rrugët, i përkasin kompanisë publike “Standard”, me pronar kryetarin e partisë Lista Serbe, Goran Rakiç.

Për shkak të situatës aktuale të sigurisë, shkollat fillore e të mesme në komunat në veri të Kosovës nuk do të hapen deri në njoftimin e radhës. Këtë e konfirmoi drejtori i shkollës fillore “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut. Miodrag Jovanoviç nuk dha detaje se deri kur nuk do të shkojnë nxënësit në shkollë, por theksoi vetëm se “një vendim i tillë është marrë dje në mbrëmje”.

Me shumë gjasa u mor nga institucionet kompetente.

Në mjediset serbe në veri të Kosovës, shkollat funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

Në një tjetër reagim, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha sot se “Kosova dhe Serbia duhet të shtensionojnë situatën”. Borrell foli para një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel. “Duhet t’i kthehen dialogut, duhet ta kapërcejnë këtë tendencë për të luftuar në rrugë”, – deklaroi zyrtari i lartë europian.

Bllokimi vijon prej tre ditësh dhe u nxit nga arrestimi i një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës. Dejan Pantiç u prangos si i dyshuar për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri, si dhe ndaj atyre policorë. Zgjedhjet në katër komuna serbe të mbetura pa kryetarë pas dorëheqjeve të nëntorit u shtynë e nuk do të mbahen më 18 dhjetor, por në prill të vitit të ardhshëm.