Egnatia bëhet gati të ripërsërisë historinë në futbollin shqiptar. Kampionët kanë një detyrë të vështirë përpara, ku i duhet të mbrojnë titullin e vitit të kaluar dhe për ta arritur këtë duhet të kalojnë edhe pengesën e fundit që mban emrin e Vllaznisë.
Rrogozhinasit janë optimistë për ta mbyllur ashtu si duhet sezonin, edhe për faktin se e mbyllën kampionatin e rregullt në vendin e parë. Situata për momentin duket e mirë, ku duket se të besuarit e Edlir Tetovës kanë arritur të marrin paksa veten pas ngjeshjeve të ndeshjeve në javët e fundit. Gjithsesi, rreziku për ta mbyllur sezonin pa trofe në njëfarë mënyre i ka vënë nën presion për këtë finale.
LEXO EDHE: Marçiniak thirrje para finales Vllaznia-Egnatia: Ëndërr në Poloni të kemi federatë si FSHF
Shpesh një titull kampion është më e lehtë ta fitosh sesa ta mbrosh. Për këtë arsye, rrogozhinasit do të kenë një detyrë të vështirë përpara, për të mbrojtur titullin e fituar vitin e kaluar. Në fakt, që nga koha e Skënderbeut të lavdishëm ku dominonte futbollin shqiptar dhe fitoi gjashtë tituj radhazi mes viteve 2010-2016, asnjë ekip tjetër më pas nuk ia ka dalë ta fitojë dy herë rresht.
Egnatia ka mundësinë ta bëjë diçka të tillë, ku ka shkuar vetëm një ndeshje larg. Nga ana tjetër, ai ekip i atyre viteve shërben si një frymëzim për këdo që kërkon të nisë një cikël fitues dhe Egnatia duket se ndodhet në atë rrugë, për shkak të dominimit që po i bën futbollit shqiptar këto dy vitet e fundit. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse do t’ia dalin apo jo.
“Det” shkodranësh në Tiranë, priten 8 mijë tifozë për finalen me Egnatian
Një “det” tifozësh kuqeblu pritet të ketë në Tiranë sot për finalen e këtij sezoni në Superiore, Vllaznia-Egnatia. Mbështetësit kuqeblu që prej më shumë se dy dekadash presin një triumf në kampionat, duken më të karikuar se asnjëherë për të mbushur shkallët e stadiumit “Arena Kombëtare”.
7200- 7500 tifozë pritet të udhëtojnë nga Shkodra. Tifozët ultras të Vllaznisë kanë përgatitur edhe koreografi speciale për këtë duel, ku mbështetësit shkodranë kanë premtuar një spektakël pas ndeshjes në rast triumfi të Vllaznisë në rrugët e kryeqytetit. Ndërkohë, edhe nga ana tjetër, mbi një mijë tifozë të Egnatias pritet të jenë të pranishëm në Tiranë për të mbështetur ekipin e tyre të zemrës. Ata do të shijojnë finalen e dytë radhazi në “Final 4”.