Sot në Bruksel, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç. Takimi vjen pasi më 12 korrik, Vuçiç bëri të ditur se i dërgoi NATO-s letër zyrtare, me kërkesën që të takojë shefin e këtij institucioni.
Temë e bisedimeve, situata në Kosovë.
Stoltenberg dhe Vuçiç do të takohen në të njëjtën ditë kur pritet të zhvillohen bisedime po në Bruksel nga kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë për dialogun, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç.
Më 11 korrik, Bashkimi Europian konfirmoi se me Kosovën ra dakord në marrjen e disa hapave për uljen e tensioneve në veri. Sipas marrëveshjes të arritur mes Lajçakut e Bislimit më 10 korrik në Bratisllavë, Kosova pranoi të reduktojë praninë e policisë rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok. Po ashtu, Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.
Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se “Kosova ka nisur t’i hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri, në kuadër të marrëveshjes së arritur me Bashkimin Europian për uljen e tensioneve”.
Prej javës së kaluar e kemi zvogëluar praninë e Policisë së Kosovës me 25% në tre ndërtesat komunale në veri. Tani kemi nisur t’i hapim rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Kosova është duke e zbatuar marrëveshjen e arritur me BE-në, në Bratisllavë për shtensionimin e situatës.
Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta, sidomos në muajin qershor. Situata është përkeqësuar pasi serbët në komunat në veri kundërshtuan hyrjen atje të kryetarëve të rinj shqiptarë, me ndihmën e Policisë së Kosovës.
Ata i fituan mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të bojkotuara nga serbët. Për shkak të refuzimit të këshillave të faktorit ndërkombëtar për dhënien fund të krizës, Kosova është përballur me masa ndëshkuese nga BE-ja.