Aktualitet Politikë

Sot nis legjislatura e re parlamentare/Ja çfarë pritet të ndodhë në seancën e parë!

Sot mbahet mbledhja e parë e Legjislaturës XI dhe 140 deputetët e zgjedhur më 11 maj pritet të bëhen pjesë e seancës kuvendore që është planifikuar të nisë në orën 10:00. Rendi i ditës në Parlament përfshin vënien në zbatim të dekretit presidencial për mbajtjen e seancës fillestare dhe më tej për konstituimin e institucionit ligjvënës.

Nga zgjedhjet e fundit parlamentare, Partia Socialiste përfaqësohet me 83 mandate deputetësh, Partia Demokratike dhe aleatët me 50 mandate, 3 mandate ka Partia Socialdemokrate, 2 mandate Partia Mundësia dhe nga një mandat secila, Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.

Legjislatura XI mund të jetë ndër të fundit me një ndarje të tillë mandatesh, pasi dje kryeministri Edi Rama foli për një riorganizim të jetës parlamentare gjatë këtij 4-vjeçari, duke filluar nga “shtëpia” ku zhvillohet dhe ndërtimi i një godine të re të Parlamentit e deri te ndryshimi radikal në përfaqësimin politik, që numri total i ligjvënësve të zbresë nga 140 në 101.

Me shpalljen e dekretit ditën e hënë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj u kujtoi ligjvënësve të ardhshëm se vendi ndodhet përpara një momenti historik: anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Prioriteti madhor i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët dhe vendi, si ato të sigurisë, drejtësisë, demografisë, ekonomisë, zhvillimit të qëndrueshëm, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, ndryshimet klimatike, mbrojtja e mjedisit, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje të qëndrueshme. Përmes punës së përditshme dhe vendimmarrjeve tuaja duhet të përmbushim çdo kriter dhe të përballemi me çdo sfidë për Shqipërinë anëtare në Bashkimin Evropian,.

Nga maxhoranca socialiste, Begaj kërkoi përgjegjshmëri dhe përulësi në ushtrimin e pushtetit, ndërsa nga opozita bëri thirrje që të jetë aktive, konstruktive dhe e përkushtuar ndaj rolit të saj.

Çfarë parashikon Rregullorja e Kuvendit për seancën e parë

Seanca e parë e Kuvendit të ri hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Këtë atribut e ka kreu i demokratëve, Sali Berisha, i cili ka deklaruar se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Nëse refuzon, siç e ka deklaruar, drejtimin mund ta marrë deputeti socialist Vasil Llajo.

Më pas, tre ndër deputetët me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Parlamentit.

Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre. Kuvendi zgjedh një Komision të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve, që të shqyrtojë dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda dy ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve.

Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët thirren të bëjnë betimin e procedohet me zgjedhjen e Kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit. Kryetari i Kuvendit zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së gjithë deputetëve.