Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Bullgarinë, trajneri i skuadrës, De la Fuente, ka folur për të gjithë duke zbërthyer në detaje skuadrën e tij.
“Rëndësia e kësaj sfide është parësore. E dimë sa e vështirë është për shkak të kundërshtarit, atmosferës, kulmit të sezonit… Do të jetë shumë e vështirë dhe do të duhet të japim gjithçka”. Një nisje tipike për të kaluar më pas te detajet. Përsa i përket dy të sapombëriturve ka mjaftuar një fjali. “Carvajal dhe Rodrigo? Ata janë gati për të luajtur. Duhet t’i vlerësojmë”.
Një problem kanë qenë golat e pësuar nga skuadra spanjolle. “Për sa kohë që ne shënojmë edhe një gol më shumë… Por është e vërtetë që duhet të përmirësohemi në këtë drejtim, pa harruar potencialin e kundërshtarëve që kemi përballuar dhe se plani ynë i lojës është sulm, sulm, sulm. Por sigurisht që po mendojmë të jemi më vendimtarë në mbrojtje, por pa hequr dorë nga ajo që përfaqësojmë.” Një dedikim i veçantë për Pedrin dhe natyrisht edhe për majën e sulmit, apo si quhet ndryshe numri 9.
Pedri kudo që luan, na jep shumë. Luan kudo dhe unë nuk shqetësohem për atë pozicion. Nuk besoj te sulmuesit e rremë, besoj te llojet e ndryshme të sulmuesve. Ne kemi lojtarë shumë të mirë për atë pozicion”. Në fund qershia mbi tortë, Lamine Yamal: “E njoh që kur ishte 16 vjeç. Duhet të veprosh si trajner dhe jo si profesor.
Ai është shumë i pjekur dhe i përqendruar. Talenti i tij është i tillë që nuk mund të mos e mbështes, jo vetëm atë. Nuk më është dashur të jap asnjë paralajmërim. Sjellja e tyre është fantastike. Ata janë shembullorë. Ne i përmbahemi një ideje. Jemi shumë të qartë për atë që po bëjmë. Lojtari është gjithmonë në shërbim të ekipit. Ne të gjithë e dimë se çfarë duam të luajmë”. Një koment dhe për skuadrën bullgare. “Kohërat ndryshojnë. Bullgaria kishte lojtarë të klasit botëror. Është një vend me talent dhe cilësi, dhe sigurisht që i ka tani. Përsëritja e kësaj është e vështirë, por duhet të provosh”.