Në kampin serb ka bindje të plotë se ndeshja ndaj Shqipërisë do të përfundojë me fitore dhe se kombëtarja e tyre do të sigurojë një vend në play-off për Kupën e Botës.
Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç, ka komentuar sfidën e fundjavës duke analizuar situatën në ekip dhe rëndësinë e përballjes me kuqezinjtë.
“Nuk kemi çfarë të fshehim. Publiku meriton të dijë për gjendjen e lojtarëve, lëndimet dhe ndryshimet në skuadër.
Jemi të përgatitur për sfidën. Tani fokusi ynë janë dy ndeshjet e radhës – Shqipëria dhe Andorra. Duhet të ecim përpara dhe të marrim tri pikët”, deklaroi Stojkoviç.
Trajneri serb e cilësoi takimin ndaj Shqipërisë si vendimtar për objektivin e kualifikimit.
“Ndeshja me Shqipërinë është shumë e rëndësishme, hap rrugën drejt marsit të ardhshëm. Jam i bindur se kemi lojtarët dhe kapacitetin për ta fituar dhe për të siguruar një vend në play-off”, u shpreh ai.
Përballja Serbi–Shqipëri do të luhet mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Leskovacit.