Rudina Hajdari është deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.
Ajo është rikthyer në Shqipëri për të përmbushur një mision, e frymëzuar nga babai i saj i ndjerë, Azem Hajdari.
Në një intervistë për Top Albania Radio, Rudina ishte e ftuar në emisionin “Dilema Sociale” e cila diskutoi rreth protestës dhe aktualitetit në vend.
E pyetur se çfarë mendon për deklaratën e këngëtarit Stresi, i cili e personifikoi dje veten si “Azem Hajdari i ri” Rudina ka një përgjigje:
“Unë isha në protestë vetë, por nuk e ndoqa në momentin kur devijoi, duhet të kuptojmë që shqiptarët nuk e durojnë dot dhunën, është një fenomen që duhet të largohet nga memoria. Unë mendoj për situatën, jo për personin që tha atë gjë, shpeshherë ne e humbim bisedën duke u marrë me individë të caktuar ndërkohë që e gjithë vëmendja duhet të jetë te akti se çfarë ka ndodhur dhe te objektivi për të kërkuar drejtësi ndaj vrasjes që iu bë Klodian Rashës. Mendoj që të mos merremi me individë të ndryshëm sepse nuk është ai thelbi i protestës.”
Ajo shton: “Nuk e njoh personalisht dhe nuk e di në çfarë konteksti e ka thënë atë gjë.”
Gjithashtu Rudina rrëfen edhe për largimin e saj nga vajza e vogël dhe bashkëshorti, pandemia dhe politika në Tiranë po e mbajnë atë larg të dashurve të zemrës, por shpreson që një ditë ta kuptojnë.