Një zbulim i ri shkencor sjell shpresë për trajtimin e sëmundjeve të zemrës. Sipas studiuesve nga Michigan State University, hormoni oksitocinë i njohur ndryshe si “hormoni i dashurisë” mund të luajë një rol kyç në riparimin e zemrës pas dëmtimeve. Studimi ka treguar se oksitocina stimulon qelizat staminale të zemrës, duke ndihmuar në rigjenerimin e indeve të dëmtuara. Në testet e kryera mbi peshq zebër dhe në qeliza njerëzore, u zbulua se ky hormon aktivizon qelizat e quajtura Epicardium-derived Progenitor Cells (EpiPCs), të cilat kanë aftësinë të shndërrohen në qeliza muskulore të zemrës, përgjegjëse për rrahjet e saj.
Kur zemra dëmtohet, nivelet e oksitocinës rriten natyrshëm, duke sinjalizuar trupin të nisë procesin e rikuperimit. Ky mekanizëm është veçanërisht i zhvilluar tek peshqit zebër, të cilët kanë aftësi të jashtëzakonshme për të rigjeneruar zemrën. Shkencëtarët besojnë se ky zbulim hap rrugë të reja për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe rikuperimin pas infarkteve. Duke qenë se oksitocina përdoret tashmë në mjekësi për qëllime të tjera, ajo mund të përshtatet relativisht shpejt edhe për terapi të zemrës. Hapi i radhës do të jenë provat klinike për të krijuar forma më të qëndrueshme të këtij hormoni, që mund të ndihmojnë pacientët të rikuperojnë funksionin normal të zemrës.
Ndërkaq, puthja ka një ndikim të fuqishëm në trupin dhe mendjen tonë, duke sjellë një sërë efektesh pozitive. Në nivel fiziologjik, puthja nxit çlirimin e hormoneve të “mirëqenies”, si oksitocina, dopamina dhe serotonina. Oksitocina, e njohur shpesh si “hormoni i dashurisë”, ndihmon në ndërtimin e lidhjes emocionale dhe në krijimin e ndjenjës së afërsisë dhe besimit. Dopamina lidhet me ndjesinë e kënaqësisë dhe shpërblimit, duke bërë që të ndihemi më të lumtur, ndërsa serotonina përmirëson gjendjen shpirtërore dhe ul nivelet e stresit.