Të paktën 4 mijë hapa në një ose dy ditë në javë janë të mjaftueshëm për të mbrojtur gratë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe rreziku i vdekjes, sipas një studimi të kryer nga “Mass General Brigham and Women’s Hospital”.
Studimi shqyrtoi 13 mijë e 547 gra, duke krahasuar numrin e hapave të tyre gjatë një jave me vdekshmërinë dhe shkallën e sëmundjeve kardiovaskulare gjatë dekadës pasuese.
Studimi tregoi se më shumë hapa japin përfitime edhe më të mëdha, deri në një pikë ku ulja e rrezikut stabilizohet.
Në vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përparimet teknologjike kanë bërë që ne të mos lëvizim shumë dhe njerëzit e moshuar janë ndër më pak aktivët, thotë autorja kryesore I-Min Lee, një epidemiologe në Spitalin e Bostonit.
Studiuesit monitoruan shëndetin e grave të moshuara (mosha mesatare 71.8 vjeç), pa sëmundje kardiovaskulare.
Midis viteve 2011 dhe 2015, gratë mbanin akselerometra për të monitoruar hapat e tyre për shtatë ditë. Për 10 vitet e ardhshme, studiuesit monitoruan vdekshmërinë dhe incidencën e sëmundjeve kardiovaskulare.
Pjesëmarrësit u ndanë në bazë të numrit të ditëve në javë që arritën pragun e hapave prej 4 mijë, 5 mijë, 6 mijë ose 7 mijë apo më shumë.
Ato që arritën 4 mijë hapa në një ose në dy ditë në javë kishin një rrezik vdekshmërie 26% më të ulët dhe një rrezik sëmundjesh kardiovaskulare 27% më të zvogëluar krahasuar me ata që nuk arritën kurrë 4 mijë hapa në asnjë ditë.
Për më tepër, arritja e 4 mijë hapave në tre ose më shumë ditë në javë, uli më tej rrezikun e vdekshmërisë në 40%, ndërsa tek gratë që arritën pragje më të larta hapash, rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare u stabilizua.