Moti i keq me erëra të stuhishme përfshiu qytetin e Vlorës, duke shkaktuar kaos në disa zona. Erërat e forta goditën veçanërisht vijën bregdetare, ku ngritja e rërës përgjatë shëtitores së Lungomares e bëri pothuajse të pamundur qarkullimin e këmbësorëve.
Stuhia shkaktoi dëme materiale në mjaft biznese, ku shumë orendi u zhvendosën apo u dëmtuan nga forca e erës.
Dendësia e rërës së ngritur në ajër nga erërat e stuhishme krijoi një situatë mjaft të vështirë për qytetarët dhe pushuesit, duke reduktuar fushëpamjen dhe e bërë të pamundur lëvizjen normale në këmbë përgjatë shëtitores bregdetare.
Çadrat e plazhit dhe mbulesat e restoranteve përgjatë shëtitores pësuan dëmtime të konsiderueshme. Shumë biznese u detyruan të mbyllnin përkohësisht hapësirat e jashtme për arsye sigurie.
Edhe Gjirokastra u përfshi nga erëra të forta, të shoqëruara me reshje shiu, të cilat krijuan vështirësi të përkohshme në disa zona të qytetit.
Në Himarë, qielli u ndriçua nga rrufe të shumta, duke krijuar një spektakël natyror gjatë natës. Moti i keq u shoqërua edhe me probleme në furnizimin me energji elektrike.
Në Sarandë, erërat e forta rrëzuan pemë në disa zona të qytetit, duke shkaktuar dëme në disa automjete. Autoritetet ndërhynë për largimin e pemëve dhe rikthimin e normalitetit.