Stuhitë e fuqishme që shkaktuan tre viktima në Misisipi dhe shkatërruan çatitë e ndërtesave në një qytet të vogël të Oklahomës, po vazhdojnë drejt lindjes, duke sjellë paralajmërime për tornado në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara. Stuhitë e dëborës kanë goditur pjesën qendrore të perëndimit amerikan, ndërsa erërat e forta po përhapin zjarret në Teksas.
Parashikuesit e motit paralajmërojnë se një stuhi që vjen nga Paqësori pitet të sjellë reshje shiu dhe dëbore në të gjithë Kaliforninë dhe pjesë të tjera në brigjet perëndimore amerikane deri të premten. Paralajmërime për tornado u lëshuan dje në të dy Karolinat, si dhe në Florida e Virxhinia. Zyrtarët e qarkut Union të Karolinës së Veriut, në një postim në mediat sociale, thanë se po vlerësonin dëmet e stuhisë ndërsa pritet të konfirmohet një tornado. Zyrtarët deklaruan se nuk ka të lënduar.
Erërat e forta në Teksas dhe bimësia e thatë krijuan kushte të favorshme për përhapjen e zjarreve në disa zona. Njoftohet për 20 shtëpi dhe struktura të djegura në qarkun San Patricio pranë qytetit Corpus Christi, u shpreh gjykatësi i qarkut David Kerbs. Nuk ka njoftime paraprake për të lënduar.
Deri tani janë konfirmuar shtatë tornado në Teksas, Oklahoma dhe Luizina, sipas të dhënave paraprake nga shërbimi motit. Stuhitë e fuqishme në brigjet lindore shtrihen nga Nju Jorku deri në Florida.
Stuhitë e fundit në Nebraska sollën rreth 10 centimetra dëborë ndërsa erërat kishin një shpejtësi prej afro 100 kilometrash në orë. Të paktën 70 aksidente automobilistike u shënuan në Minesota, sipas organeve të rendit. Garda Kombëtare është aktivizuar për të ndihmuar shoferët e bllokuar nga dëbora.
Policia në Ajoua tha se janë regjistruar të paktën 68 aksidente rrugore nga e marta deri të mërkurën, me një sërë makinash që u përplasën në autostradën I35 pranë qytetit Des Moines dhe aksidente të tjera në autostradën I80.
Stuhitë kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në Teksas, Tenesi dhe Alabama ndërsa janë anuluar afro 600 fluturime.