Agjencia për Mbrojtjen Civile në Gaza tha se nga sulmet e sotme izraelite janë vrarë të paktën 25 persona në mbarë Rripin e Gazës, përfshirë gra dhe fëmijë. Izraeli rinisi sulmet ajrore dhe tokësore në Gazë më 18 mars, duke rifilluar luftimet pas dy muajve armëpushim e që ndaluan luftën 15-mujore mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
Që nga sot në mëngjes, sulmet ajrore izraelite kanë vrarë 20 persona dhe kanë plagosur dhjetëra të tjerë, përfshirë gra e fëmijë në mbarë Rripin e Gazës, tha për AFP-në, Mahmud Bassal, zëdhënës i Agjencisë për Mbrojtjen Civile.
Në një njoftim të ndarë, agjencia raportoi edhe për pesë të vrarë nga sulmet izraelite me dronë në Rafah. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, një ditë më parë u zotua që të vazhdojë luftën dhe të lirojë pengjet që ende mbahen në Gazë nga Hamasi.
Jemi në një fazë kritike të fushatës dhe në këtë pikë, ne kemi nevojë për durim dhe vendosmëri për të fituar, u shpreh Netanyahu përmes një njoftimi, duke refuzuar thirrjet nga radikalët palestinezë për t’i dhënë fund luftës e për të tërhequr trupat nga Gaza.
Që kur Izraeli rifilloi ofensivën muajin e kaluar, të paktën 1 mijë e 827 persona janë vrarë në Gaza, referuar Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e udhëhequr nga Hamasi. Numri i përgjithshëm i të vrarëve në luftën në Gaza ka arritur në 51 mijë e 201, shumica prej tyre civilë, sipas së njëjtës ministri. Këto shifra, Kombet e Bashkuara i konsiderojnë të besueshme.
Lufta shpërtheu pas sulmit të paprecedentë të Hamasit ndaj Izraelit në tetor të vitit 2023, sulm i cili rezultoi në vrasjen e rreth 1 mijë e 200 personave dhe rrëmbimin e afro 250 të tjerëve nga Izraeli. Nga të rrëmbyerit, 58 vetë ende mbahen në Gaza, përfshirë 34 që ushtria izraelite beson se kanë gjetur vdekjen.