Sport

Superiore/ Humbje e “hidhur”, Partizani “bie” në Ballsh, të kuqtë lëshojnë kreun e renditjes

Partizani humbet kreun. Të kuqtë munden në mënyrë surprizuese nga Bylis me rezultatin 2-1, një humbje që detyron skuadrën e “Demave” të lëshojnë kreun e renditjes.

Pjesa e parë pa ballshiotët më agresivë, me përpjekjet e tyre që u shpërblyen në fundin e fraksionit të parë, ku në 8 minuta lojë Gjata dhe Camara shënuan dy herë në portën e Qirkos.

Reagimi i Partizanit erdhi me fillimin e pjesës së dytë kur sulmuesi Albers Keko rrealizoi duke rihapur ndeshjen. Megjithatë në minutat e mbetura të takimit nuk ndryshoi asgjë, me Bylis që diti të administronte mjaft mirë avantazhin. Falë këtij suksesi skuadra ballshiote e Nevil Dedes lë vendin e fundit të renditjes, duke u ngjitur në vendin e 9 me 16 pikë.

Trajneri i Bylisit, Nevil Dede ka folur në intervistë pas fitores 2-1 në shtëpi kundër Partizanit. Një fitore e madhe në Ballsh që ngre moralin e skuadrës dhe jep shpresë. Partizani çon dëm pikë të ‘arta’ në garën për titull.

“E mira s’ka fund. Sakrifica u kurorëzua me 3 pikët. Kisha një besim kësaj radhe.

LEXO EDHE: Egnatia merr kreun e Superiores, Vllaznia përfiton nga ndalesa e Dinamos. Laçi me pikë shprese

U mungonte Rrapaj, nëse do të ishte ai do të na kishte hapur probleme. E rëndësishme pikët në këtë moment të Superiores. Nuk mund t’a mundësh dot gjithmonë Partizanin. 2 herë dolëm në sulm, 2 herë goditëm saktë. Më pas shpërdoruam shumë raste dhe pësuam. Po bëjmë ndeshje në rritje.

Në stol ishin vetëm 3 shqiptarë. Nuk mund të ndërrojmë skemat, pasi i kemi përshtatur në lidhje me lojtarët e huaj. Tek goli kam pakënaqësi, humbasin vëmendjen djemtë.

Mund të kishim ngrënë të dytin dhe e gjithë puna bie poshtë. E gjithë përgjegjësia bie mbi lojtarë që po luajnë për herë të parë në kampionat.

Maçollin e komplimentoi. 1 muaj e gjysëm mungesë dhe e ndihmon ekipin atëherë kur duhet. Camara po më surprizon po ashtu.

Cara do të shtynte shumë, Hadroj luan mirë. Tranzicionin pozitiv e bëjëm shumë mirë. Topa të gjatë për Mba dhe Bintsuka, ishte strategjia e Partizanit. Përgëzoj Gjatën që dha gjithçka.

Rrapaj ka cilësi, e njoh që të vogël.”, u shpreh Dede.

Zëvendës trajneri  i Partizanit, Anicic ka folur për humbjen 2-1 në transfertë të Partizanit ndaj Bylisit. Tekniku serb ka dhënë mendimin e tij për këtë lojë të humbur nën urdhërat e tij. ‘Demat’ zhgënjejnë dhe bëjnë hap fals në Superiore. Tekniku pa humbje në Superiore ishte në tribuna i pranishëm.

“Përgëzoj ekipin kundërshtar. Ishin më mirë se ne në çdo aspekt. Na mungoi lufta sportive dhe agresiviteti. Patjetër ka ndikim trajneri, po ne punojmë bashkë dhe shpjegojmë çdo gjë bashkë. Çdo lojtar ka shansin e vet. Nuk është e lehtë të zëvendësosh një lojtar si Rrapaj. Është pak e vështirë të shpjegosh pse nuk kishim motivim pjesën e parë. Ishte e dukshme. Kjo mbase është përsëritur edhe në ndeshje të tjera, jo vetëm sot. Ka ditë dhe si kjo e sotmja që paraqitesh më dobët. Mbase ka dhe ditë si sot që duhet të humbasësh. Pjesën e dytë luajtëm më mirë, ndryshuam shumë gjëra. U bëmë më ofensiv, por nuk shfrytëzuam rastet për të barazuar (Goli i parë ishte perlë individuale thuhet nga Gerd Haxhiu). Patjetër që ka gjëra pa realizuar. Do të analizoj me trajnerin çdo gjë. Bazikja është mungesa e agresivitetit.”, u shpreh Dragan Anicic.