Sport

Superliga, 5 ndeshje të Javës së 27-të më 1 dhe 2 mars!

Raundi i 27-të në Superligën Shqiptare të Futbollit. Nesër dhe të dielën luhen pesë ndeshjet e fundit të fazës së tretë dhe mes tyre spikat derbi i kryeqytetit mes Tiranës e Dinamos që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”. Për të disatën ndeshje, Tirana luan jashtë fushe pasi nuk ka shtëpi në kryeqytet.

Takimi Laçi – Vllaznia do të çelë siparin e Javës së 27-të, me ndeshjen që do të luhet nesër në Laç, duke nisur nga ora 14:00. Po nesër, në orën 17:00 AF Elbasani pret Partizanin në stadiumin “Elbasan Arena”.

Tri ndeshjet e tjera të javës janë programuar për të dielën e datës 2 mars. Takimi i parë do të zhvillohet në orën 14:00 në stadiumin “Adush Muça”, ku do të përballen Bylisi me Skënderbeun. Po në orën 17:00, radha e dy takimeve të fundit të Javës së 27-të: Tirana – Dinamo dhe Egnatia – Teuta. Derbi i kryeqytetit në Elbasan, ndërsa për herë të parë, Egnatia luan me prozhektorë në stadiumin e rinovuar të Rrogozhinës.

E shtunë, 1 mars 2025

14:00 Laçi – Vllaznia

17:00 AF Elbasani – Partizani

E diel, 2 mars 2025

14:00 Bylis – Skënderbeu

17:00 Egnatia – Teuta

17:00 Tirana – Dinamo (Elbasan)