Java e 36-të dhe e fundit e kampionatit “Abissnet Superiore” zhvillohet e gjitha sot, me të pesë ndeshjet që janë planifikuar të nisin në orën 16:00.
Fundjava duket vendimtare për fatet e disa skuadrave, pasi përcaktohet ekipi i dytë që do të zbresë nga kategoria, si edhe skuadra që do të luajë në ndeshjen “play-out”.
Vora, Bylis, Teuta dhe Tirana do të luajnë gjithçka në 90 minutat e fundit të sezonit të rregullt, në një javë që premton emocione dhe rivalitet deri në fund.
Sfida direkte mes Vorës e Bylisit, që zhvillohet në stadiumin “KF Vora”, konsiderohet një nga përballjet më të rëndësishme të javës, me të dyja skuadrat që synojnë fitoren.
Një tjetër duel vendimtar luhet në Durrës, aty ku Teuta pret Egnatian në stadiumin “Niko Dovana”. Durrsakët kanë nevojë për tre pikët, për të mbajtur gjallë objektivin e mbijetesës.
Ndërkohë, Tirana do të përballet në transfertë me AF Elbasanin në stadiumin “Elbasan Arena”, në një nga sfidat më delikate të sezonit për bardheblutë. Aktualisht, kryeqytetasit renditen në vendin e gjashtë me 41 pikë dhe synojnë rezultat pozitiv për të shmangur skenarët e rrezikshëm në fundin e kampionatit.
Në dy takimet e tjera të javës, Vllaznia do të presë Flamurtarin në “Loro Boriçi”, ndërsa Partizani do të luajë në shtëpi ndaj Dinamo City-t në stadiumin “Arena e Demave”.