Bota

Tajlandë, mbi 100 mijë civilë të larguar nga konflikti me Kamboxhian!

Mbi 100 mijë persona kanë ikur nga luftimet kufitare më të përgjakshme mes Tajlandës dhe Kamboxhias në dekadë, siç raporton Bangkoku, mes shtimit të thirrjeve ndërkombëtare për ndalimin e armiqësive. Mosmarrëveshjet e vjetra kufitare, dje u përshkallëzuan në luftime intensive me artileri, tanke e trupa ushtarake në fushëbetejë. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sot pritet të mbajë një takim urgjent për krizën.

Ministria e Brendshme e Tajlandës raportoi se mbi 100 mijë njerëz nga katër provinca kufitare janë larguar në 300 zona të përkohshme strehimi, teksa numri i viktimave është rritur në 15 dhe i të plagosurve në 46. Autoritetet e Kamboxhias nuk i kanë publikuar të dhënat e tyre. Në qytezën Samraong të Kamboxhias, rreth 20 kilometra larg kufirit, gazetarët raportuan zhurma artilerie në mëngjes.

Disa familje u panë duke mbledhur gjërat e tyre dhe u larguan me makinë, bashkë me fëmijët.

Jetoj shumë afër kufirit. Frikësohemi sepse ata nisën prapë sulmet, vuri në dukje Pro Bak, 41 vjeç për agjencinë e lajmeve AFP.

Ai është larguar me gruan dhe fëmijët e tij për t’u strehuar në një tempull budist.

Nuk e di se kur do të mund të kthehemi në shtëpi.

Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, shteti i të cilit kryeson bllokun rajonal ASEAN, deklaroi se ka biseduar me kryeministrat e të dy shteteve dhe bëri thirrje për armëpushim e dialog. Luftimet shënojnë një përshkallëzim dramatik në konfliktin e gjatë mes këtyre dy vendeve fqinje, destinacione për miliona turistë të huaj e që ndajnë një kufi prej 800 kilometrash.

Dhjetëra kilometra kontestohen dhe për ato toka, palët kanë luftuar në periudhën 2008-2011, duke lënë 28 viktima e mijëra persona u detyruan që të zhvendosen. Një gjykatë e Kombeve të Bashkuara e ka zgjidhur këtë çështje, por kriza aktuale ka shpërthyer në maj, kur një ushtar i Kamboxhias mbeti i vrarë në përleshjet e reja.