Bota

Tajlanda dhe Kamboxhia ndalojnë konfliktin e ashpër!

Tajlanda dhe Kamboxhia sot i dhanë fund javëve të përplasjeve të ashpra kufitare, me një armëpushim të dytë në muajt e fundit, pas luftimeve më të rënda prej vitesh mes dy vendeve të Azisë Juglindore. Armëpushimi po respektohet, njoftoi një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Tajlandës.

Deri tani nuk ka pasur raportime për të shtëna.

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Kamboxhias nuk raportoi për asnjë përplasje.

Marrëveshja e nënshkruar nga ministri tajlandez i Mbrojtjes, Natthaphon Narkphanit dhe homologu kamboxhian, Tea Seiha, i dha fund 20 ditëve luftime që vranë të paktën 101 persona e zhvendosën më shumë se gjysmë milion njerëz në të dy anët, përfshirë fluturime të avionëve luftarakë, shkëmbime zjarri me raketa e breshëri artilerie.

Përplasjet u rindezën në fillim të muajit pas dështimit të një armëpushimi që presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, ishin përpjekur të ndërmjetësonin.

Diplomati kryesor i Kamboxhias, Prak Sokhonn dhe homologu tajlandez, Sihasak Phuangketkeow, nesër e më 29 dhjetor do të takohen me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi, në provincën Yunnan të Kinës, për të diskutuar situatën kufitare, sipas një deklaratave nga Ministria e Jashtme e Kamboxhias e nga një zyrtar tajlandez.

Për më shumë se një shekull, Tajlanda dhe Kamboxhia kanë kundërshtuar sovranitetin në pika të ndryshme të pademarkuara përgjatë kufirit të tyre tokësor prej 817 kilometrash, një mosmarrëveshje që herë pas here ka shpërthyer në përleshje dhe luftime.

Armëpushimi i ri do të monitorohet nga një ekip vëzhguesish nga blloku i Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), si dhe përmes koordinimit të drejtpërdrejtë mes të dy vendeve, u shpreh Natthaphon.

Tensionet mes dy fqinjëve arritën kulmin në korrik, kur u përplasën për pesë ditë përgjatë disa pjesëve të kufirit, duke lënë të paktën 48 të vdekur e 300 mijë të zhvendosur, përpara se Trump të ndërhynte për të sjellë një armëpushim.

Ai armëpushim u prish në fillim të dhjetorit, me secilën palë që akuzonte tjetrën për veprime që çuan në përplasje. Anwar, aktualisht kryetar i ASEAN-it dhe Trump, nuk arritën të ndërtonin një armëpushim tjetër, ndërsa luftimet u përhapën nga rajonet pyjore pranë Laosit drejt provincave bregdetare në Gjirin e Tajlandës.