Presidenti francez, Emmanuel Macron do të presë sot në mbrëmje homologun ukrainas Volodymyr Zelensky, përpara një samiti të vendeve që janë të gatshme për të ndihmuar në garantimin e një marrëveshjeje të mundshme paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë.
Të enjten e ardhshme do të mbajmë një samit të koalicionit të vullnetit në Paris, në praninë e presidentit Zelenskyy. Do të finalizojmë punën tonë për mbështetjen afatshkurtër për ushtrinë ukrainase, deklaroi Macron.
Franca dhe Britania e Madhe kanë drejtuar një nismë për të formuar të ashtuquajturin “koalicioni i të gatshmëve”, i cili do të përbëhet nga vende të përgatitura për të ofruar garanci sigurie në rast të një armëpushimi midis Rusisë dhe Ukrainës.
Koncepti do të finalizohet nesër në një samit në Paris. Aleatët perëndimorë të Ukrainës po konsiderojnë monitorimin e një zone të mundshme të çmilitarizuar në kufirin mes Rusisë e Ukrainës.
Kjo do të realizohet kryesisht nga ajri e me ndihmën e mjeteve teknike si satelitët dhe dronët. Njësitë detare gjithashtu mund të vendosen për të monitoruar lirinë e lundrimit në Detin e Zi. Sipas planeve, një forcë paqeruajtëse në kuptimin konvencional mund të mobilizohej përmes Kombeve të Bashkuara, e përbërë ekskluzivisht nga ushtarë nga vende të treta.
Forcat europiane, më pas mund të vendosen në kufirin perëndimor të Ukrainës dhe të ofrojnë programe trajnimi për partnerët e tyre ukrainas. Garantuesi kryesor i sigurisë do të ishte superfuqia bërthamore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Macron do ta presë Zelensky-n, sot në orën 18:00.
Ndër të tjera, Emmanuel Macron njoftoi se ai do të udhëtojë në Egjipt në datat 7 e 8 prill, si dhe vuri në dukje se do ta presë presidentin libanez, Joseph Aoun, në Paris, pas disa ditësh. Më tej, tha se kanë diskutuar edhe për Sirinë përgjatë një samiti në Bruksel, duke theksuar nevojën për të rivendosur qetësinë e për të luftuar terrorizmin, si dhe shtoi se do ta adresojë këtë çështje duke telefonuar në ditët në vijim presidentin sirian, Ahmed al-Sharaa.