Rajoni

Pas takimit me Kurtin, Hamza: PDK mbetet në opozitë!

Pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se biseda ishte konstruktive, por nuk prodhoi një rezultat konkret për formimin e institucioneve të reja. Hamza, nga ana tjetër, konfirmoi se partia e tij do të mbetet në opozitë, duke shtuar se LVV-ja ka përgjegjësinë për formimin e institucioneve.

Bazuar në bisedat që kemi pasur dhe diskutimet që kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë, që t’i japin vendit institucione, duke i përfshirë të gjitha institucionet, tha Hamza për gazetarët.

Kurti tha se takimi u zhvillua në mënyrë konstruktive dhe në atmosferë të vullnetit dhe “interesimit për t’i dhënë Kosovës institucione të reja”.

Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret, ndonjë të arritur që do të mund ta ndaja me ju. Takimet kanë për qëllim që vendi të ketë Kuvend, Qeveri dhe president brenda afateve kushtetuese.

Kurti deklaroi se LVV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja së bashku kanë numrin e mjaftushëm që t’i konstituojnë të gjitha institucionet.

Ndërkaq, shtoi se me 53 mandate të LVV-së dhe ato të partive të komuniteteve pakicë joserbe, ai ka mbi 61 votat e nevojshme për Qeverinë, por nuk tregoi nëse menjëherë pas konstituimit të Kuvendit do të procedohet me votimin e ekzekutivit të ri.

Në orën 18:00 pritet takimi me udhëheqësin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.